
Sistem i ri per trafikun detar, krijohet databaza per te dhenat e anijeve
Koha e hyrjes dhe daljes së mjeteve lundruese, të dhënat për planifikimin e ankorimit dhe lejeve të lundrimit, do përqendrohen në një databazë qendrore të dhënash.
Vendimi për krijimin e bazës të dhënave shtetërore për trafikun detar i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton se përmbajtja e të dhënave konsiderohet parësore për këtë sektor. Të dhënat do të përfshijnë dy sisteme të dixhitalizuara të trafikut detar.
Sistemi i parë që funksion, si regjistër elektronik ku janë të regjistruar të gjitha mjetet lundruese dhe në të cilin kanë akses të gjitha institucionet ligjzbatuese si Gjykata, Prokuroria, Policia, Antikondrabanda Detare etj.
Si dhe sistemi i dytë që funksionon pranë kapitenerive dhe porteve në zbatim të Kodit Detar të Republikës së Shqipërisë i cili monitoron lundrimin e të gjitha mjeteve lundruese në hapësirën detare dhe ujërat e brendshëm tokësor të Republikës së Shqipërisë.
Sakaq sipas vendimit baza e të dhënave që do të përfshihen në databaze, do nisin që nga të dhënat për hyrjen dhe daljen e mjeteve lundruese nga portet shqiptare, të dhënat e udhëtimit, data e koha e mbërritjes dhe nisjes, porti i fundit i nisjes dhe porti i mbërritjes, numri i udhëtimit, emri i agjentit ose personit të autorizuar që bën thirrjen portuale.
Në bazën e të dhënave do të përfshihen edhe ato të formularit të mbetjeve, deklaratës së shëndetësisë, të lejes mujore të lundrimit, të dhënat për inspektimin doganor, përkatësisht:
emri i mjetit lundrues, numri i inspektimit, data e inspektimit, pjesëmarrësit në procesin e inspektimit dhe rezultatet e inspektimit, të dhënat për kontrollin e Policisë Kufitare dhe Migracionit, përkatësisht:
emri i mjetit lundrues, emri i kapitenit, data e kontrollit, porti dhe vendndodhja, ngarkesa, numri i ekuipazhit dhe pasagjerëve, grupi i kontrollit dhe komente, si dhe të dhënat e antikontrabandës.
Dhënës të informacionit për funksionimin e databaze janë agjencitë, agjentët detarë dhe përfaqësuesit e autorizuar të mjeteve lundruese; kapitenët dhe drejtuesit e mjeteve lundruese; Drejtoria e Përgjithshme Detare; Policia Kufitare dhe Migracionit;
Dogana dhe Antikontrabanda Detare; Roja Bregdetare; Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës; Autoriteti Portual dhe portet detare shqiptare shtetërore dhe private; si dhe strukturat vendore të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Ndërsa të dhënat dytësore do të merren nga e-Albania. Sistemi pritet të lehtësojë veprimtarinë monitoruese të kapitanerive të porteve, të cilat do të kryejnë verifikimet në formë dixhitale, pa qenë e nevojshme të dalin në det.
Procesi i monitorimit në kohë reale mund të kryhet nëpërmjet tabletës elektronike. Baza e të dhënave do të jetë në administrim të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/sistemi-i-ri-per-trafikun-detar-te-dhenat-e-anijeve-qe-do-te-regjistrohen-ne-databaze-n-shteteror/
Më të lexuarat








