Secondary Adv

Derdhen 37.4 mln euro ne arken e shtetit,10 tatimpaguesit me te medhenj

Shifrat i referohen vitit 2020 dhe vetëm tatimit mbi fitimin, duke përjashtuar edhe taksa të tjera të drejtpërdrejta ose jo, që bizneset e mëdha derdhin në arkën e shtetit.

 

Ndër të tjera, klasifikimi përfshin grupe sipërmarrëse dhe jo vetëm kompani, por që kanë të njëjtën pronësi. Në total gjatë të gjithë vitit 2020 shteti shqiptar mblodhi në arkat e veta 28.38 mld lekë në formën e tatimit mbi fitimin, ose rreth 233.7 mln euro.

 

Dhjetë grupet e para në listën e kontribuesve më të mëdhenj në këtë zë të rëndësishëm të buxhetit të shtetit përfaqësojnë rreth 16% të totalit, pavarësisht se ato përbëjnë vetëm 0.006% të totalit të bizneseve që operojnë në vendin tonë.

 

Në total, vetëm këto 10 grupe kanë paguar 37.4 mln euro tatim mbi fitimin. Sa i përket 30 tatimpaguesve më të mëdhenj ndërkohë, vlerësohet të kenë derdhur në arkat e shtetit rreth 60 milionë euro gjatë vitit 2020, ose 25.6% të totalit.

 

Ndërkohë, le të ndalemi te lista e 10 tatimpaguesve më të mëdhenj në vend, të cilën e kryeson “Banka Kombëtare Tregtare”, e grupit turk “Çalik Holding” me rreth 10 milionë euro të derdhura në arkat e shtetit.

 

Në vend të dytë ndërkohë renditet grupi më i madh me pronësi shqiptare, “BALFIN”, i biznesmenit Samir Mane dhe që përfshin një sërë sipërmarrjesh, mes të cilave: Neptun, QTU, TEG, Spar, Green Coast, Mane TCI, Tirana Bank, Kid Zone (Jumbo), etj.

 

Ky grup ka derdhur në arkat e shtetit rreth 6.15 milionë euro në formën e tatimit mbi fitimin sa i përket vitit fiskal 2020. Në vend të tretë ndërkohë gjejmë kompanitë e grupit “Kastrati”, me rreth 4.3 milionë euro tatim-fitim të paguar.

 

Kompanitë e Grupit Kastrati operojnë në sektorë të ndryshëm, si: hidrokarburet, tregu i sigurimeve, ndërtimi, apo mirëmbajtja dhe manaxhimi i infrastrukturës, etj.

 

Sa i përket tre tatimpaguesve më të mëdhenj në vend për 2020, që është edhe viti i fundit fiskal kur të dhënat dhe bilancet e kompanive janë publike, nuk ka asnjë ndryshim sa i përket renditjes krahasuar me vitin pararendës.

 

Sa i përket normës së tatimfitimit të paguar, vetëm BKT raporton një rritje të lehtë, ndërsa dy të tjerat raportojnë rënie, që vjen si pasojë e tkurrjes së fitimeve, rrjedhojë e vitit pandemik.

 

Lista e 10 tatimpaguesve më të mëdhenj në vend vijon me: OSSH, Raiffeisen, Finman Group, One Telecommunications, kompanitë e sipërmarrësit Luan Leka (Conad, EHW, Qafshtama, IBS, etj), Banka Credins dhe në fund Alb-Building Group.

 

Në listën e zgjeruar të tatimpaguesve më të mëdhenj në Shqipëri ndodhen edhe një pjesë e madhe e bankave që operojnë në vend, duke dëshmuar se ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet e orientuar ngushtësisht drejt sektorit të shërbimeve, më tepër se sa në atë të prodhimit.

 

Kujtojmë se norma e tatimit mbi fitimin në vendin tonë fiksohet pranë 15% dhe këtij regjimi i nënshtrohen thuajse të gjitha sipërmarrjet të cilat paguajnë TVSH, me përjashtim të biznesit të vogël me xhiro nën 8 milionë lekë në vit, që këtë tatim e ka të thjeshtuar në 0.

 

Kontributi i 10 grupeve sipërmarrëse më të mëdha në vend në arkat e shtetit është gjithashtu i barabartë me thuajse 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë vitit 2020.

 

Kujtojmë gjithashtu se FMN i ka bërë një sërë propozimesh qeverisë sa i përket reformës së taksave, ku merr një rëndësi të veçantë përmirësimi i aftësisë së qeverisë për të mbledhur të ardhura, gjë e cila sipas institucionit vjen edhe duke taksuar biznesin e vogël dhe duke e formalizuar atë, por edhe të vetëpunësuarit.

 

Këta të fundit, edhe pse zënë rreth 40% të totalit të të punësuarve dhe operojnë kryesisht si biznes, aktualisht japin një kontribut të papërfillshëm në buxhetin e shtetit.

 

Formalizimi i kësaj pjese të konsiderueshme të ekonomisë do të kishte impakt të ndjeshëm në të ardhurat e shtetit, e për rrjedhojë edhe në investimet publike./Burimi: Scan


Më të lexuarat