Shtyhet me dy jave tenderi per dhenien me koncesion te Rruges se Kombit
Tenderi për dhënien me koncesion të Rrugës së Kombit është shtyrë edhe dy javë. Shtyrja e pranimit të ofertave të kompanive sipas ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto, është bërë për shkak të kërkesës së vetë kompanive.
Fituesi i tenderit për koncesionin e rrugës Durrës – Kukës do të përzgjidhet në bazë të ofertës së tarifës që kompania do të vendosë për qytetarët, te cilët do të kalojnë ne këtë rruge.Tenderi u shty edhe me dy javë të tjera për shkak të kërkesave që kishin bërë 4 kompanitë ofertuese pasi nuk kishin bërë ende gati vlerësimin financiar.
Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, sqaroi se ende nuk dihet se sa do të paguajnë kalimtarët e këtij aksi, por tha se vlera e investimi i firmës që do e marrë mirëmbajtjen e saj është e konsiderueshme.“Po, është një kërkesë normale procedurale, nëse kërkohet një shtyrje nga ana e kompanive pjesëmarrëse. Kjo gjë realizohet dhe këtë kemi bërë, e kemi shtyrë me 2 javë hapjen e ofertave për Rrugën e Kombit, deklaroi ministri Haxhinasto, i cili ishte i pranishëm në panairin “Tirana Expo Centre”, me fokus sektorin e ndërtimit dhe energjisë.
Burimet zyrtare nga Ministria e Transportit, shpjeguan se kompanitë kanë kërkuar kohë që të përpilojnë sipas ligjit pasqyrat financiare. “Pasi morëm mendimin e studios së konsulencës që po ndjek këtë koncesion, vendosëm t’u japim kohë firmave”, thanë burimet. Tashmë është vendosur që çmimi i kalimit të një makine në Rrugën e Kombit do të jetë 5 euro, ndërkohë që do të ketë kategori banorësh të zonave që do të kalojnë falas ose me çmim të ulët sipas rastit.
Vazhdojnë punimet në rrugën Tiranë-Elbasan Kompania Aktor do të vijojnë të punojnë në rrugën Tiranë-Elbasan, sipas planit fillestar dhe financimit praprak, mbi të cilin u fitua tenderi. Ndërkohë Ministria e Transporteve ka arritur që të zgjidhë konfliktin me firmën “Aktor”, e cila është duke përfunduar rrugën nacionale Tiranë – Elbasan. Ministri Haxhinasto tha se mungesa e studimeve për lëvizjet sizmike dhe rrëshqitjen e dherave kanë sjellë këtë situatë, por kostot për ndërtimin e këtij loti do t’i ngarkohen kompanisë.
Vetëm 11 kilometra larg kryeqytetit, shqiptarët duhet të udhëtojnë në një rrugë mjaft problematike për shkak se firma, e cila ka marrë përsipër ndërtimin e saj ka afro 7 vite që nuk po e përfundon. Ministria pati një përplasje me kompaninë, ndërsa vetë Ministri i Transporteve deklaroi se nëse nuk zbatoheshin afatet e punimeve qeveria shqiptare do të zgjidhte kontratën.