Secondary Adv

Perpunuesit e Qumeshtit leter kryeministrit: Rrezikojme falimentimin

Skema kombëtare 2022 për blegtorinë është e pamjaftueshme dhe nuk arrin të subvencionojë koston e lartë të prodhimit të qumështit nga fermat.

 

Shoqata e Industrisë të Përpunimit të Qumështit në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministres të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca dhe ministres të Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj pohon se situata e blegtorisë dhe fermerëve shqiptarë për prodhimin e qumështit, është në ditën më të vështirë të saj.

 

Industria e Përpunimit të Qumështit kërkon mbështetjen e qeverisë me skema subvencionuese për fermerët mbi bazën e prodhimit të qumështit , dhe jo për krerë kafshësh të limituara.

 

Skema kombëtare 2022 për blegtorinë parashikon subvencione për tufën bazë të matrikulluar, për fermat me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1,200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360,000 lekë për subjekt,

 

ndërsa për fermat me jo më pak se 10 krerë lopë, në vlerën 10, 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt.

 

Shoqata e Industrisë të Përpunuesve të Qumështit thekson se kjo masë është e pamjaftueshme nisur nga kostoja e lartë e prodhimit të qumështit në të cilën gjendet fermat shqiptare.

 

Për përpunuesit e qumështit skemat e subvencionit duhet të jenë të orientuara mbi bazë prodhimi për litër qumësht, ashtu siç po zbatohen në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

 

Nga 1 janari 2022 hyri në zbatim ndryshimi për heqjen e 6% TVSh-je të rimbursueshme. Masa u kundërshtua nga industria, pasi heqja e skemës rrit kostot e prodhimit.

 

Për të përballuar rritjen e kostove të prodhimit nga rritja e çmimit të qumështit dhe lëndëve të tjera, Shoqata e Industrisë të Përpunuesve kërkon reduktimin e TVSh në shitje 6% ose kthimin e TVSH të rimbursueshme në masën 20%

 

pasi këto ndryshime fiskale nuk do të lejonin rritjen e çmimeve për konsumatorin, si dhe produktet shqiptare do të ishin të konkurrueshme me produktet e rajonit./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/industria-e-perpunimit-te-qumeshtit-leter-kryeministrit-rrezikojme-falimentimin-arsyet/


Më të lexuarat