
Qeveria rrit akcizen me 11 per qind per bizneset vendase, favorizohet importi
Qeveria i është sulur keq biznesit vendas. Gazeta ka zbuluar një pjesë të paketës së re fiskale të diskutuar nga Kryeministri me biznesin në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar.
Qeveria propozon sërish rritje taksash, edhe pse ka më shumë se 6 muaj që thekson të kundërtën. Por këtë herë, “armiku” që do të paguajë është vetëm biznesi vendës. Renta, akciza dhe taksa e pronës do të rriten nga 1 janari i vitit 2016. Qeveria i ka kërkuar heshtje të plotë biznesit që ishte në sallën e diskutimit, a thua se paketa fiskale dhe taksat që do të paguajnë bizneset do të kalojnë fshehurazi në buxhet.Sidoqoftë, sipas të dhënave nga mbledhja, janë propozuar rritje taksash dhe janë akoma në diskutime për uljen e TVSH-së në 10 për qind për sektorin e turizmit. Kjo e fundit do të diskutohet gjatë takimeve me FMN-në.
Akciza e prodhimeve vendase
Ministri i Ekonomisë duhet të ketë ulur kokën kur ministri i Financave ka propozuar rritjen me 11 për qind të akcizës së birrës vendëse dhe uljen me 14 për qind të akcizës për birrën e importit. Arben Ahmetaj është përgjegjës për ekonominë, dhe rritja e taksave për prodhimet vendëse dhe ulja për ato të importit, sigurisht që nuk i shërben rritjes ekonomike, punësimit, apo zhvillimit të vendit.
Por ai ka heshtur në mbledhje. Ashtu siç ka heshtur kur Cani ka propozuar rritjen e akcizës për verën e prodhuar në vend, dhe uljen e akcizës për verën që vjen nga importi. Sërish në dëm të industrisë vendësve. Këto janë dy taksat e reja që i janë propozuar biznesit në takimin me Këshillin Ekonomik Kombëtar. Pra taksa që favorizojnë prodhimet e huaja dhe disfavorizojnë prodhimet vendëse. Industritë e birrës dhe verës, tashmë do të jenë nën sulmin fiskal të qeverisë, e cila po ndikon hapur në konkurrencë.
Dhe kjo industri ishte e para që u sulmua edhe gjatë paketës fiskale të vitit 2014, kur sërish me anë të akcizës u bë një diskriminim i prodhimit vendës. Më të frikshëm këtë propozim, pra uljen e akcizës për importin dhe rritjen për prodhimin vendës, e bën përfitimi i qeverisë. Nga kjo lëvizje në buxhet nuk shtohen para, por ulen, me një shifër duke te 300 milionë lekë në vit. Pra favorizohet biznesi i huaj, penalizohen prodhuesit vendës dhe buxheti humb para.
Toka dhe renta
Një tjetër taksë që është prezantuar nga ministri Cani ishte taksa e tokës. Toka do të ndahet në katër kategori dhe tarifat e reja shkojnë nga 1600 deri në 5560 lekë për vit. Nga ana tjetër, i gjendur përballë uljes së çmimit ndërkombëtar, qeveria ka propozuar edhe rritjen e rentës minerare. Burime nga mbledhja konfirmuan këtë propozim të Financave.
Turizmi
Për habi, propozimi për uljen e TVSH-së së turizmit ishte i vetmi, i cili nuk ishte i konfirmuar nga qeveria. Edhe pse u dha si një alternativë në propozimin e paketës fiskale, sërish ulja nga 20 në 10 për qind e TVSH-së nuk mori një konfirmim. Sipas përfaqësuesve të biznesit në mbledhje, ministri theksoi se kjo do të diskutohej akoma me FMN-në. Nga ana tjetër, një propozim i sigurt është vendosja e një takse fikse, 1 euro, ose 140 lekë për shtretërit e hotelerisë. Kjo taksë, aktualisht është 5 për qind e çmimit, por është vështirë të llogaritet dhe mblidhet nga pushteti vendor. Me ndryshimin e ri, pritet rritja e administrimit./Panorama
Më të lexuarat









