Secondary Adv

Licencimi i transportit interurban, 3 dokumenta shtese per aplikimet

Licencat dhe certifikatat e operimit të mjeteve, të lëshuara për shërbimin e rregullt në transportin ndërqytetës të udhëtarëve do jenë të vlefshme deri më 31 mars 2022.

 

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka saktësuar afatet përmes një udhëzimi, që përcakton edhe një sërë ndryshimesh në procedurat e aplikimit.

 

Udhëzimi përcakton disa dokumente shtesë që duhet të plotësojnë kompanitë gjatë aplikimit për licencim, duke përfshirë vërtetim nga administrata tatimore dhe nga bashkia përkatëse për shlyerjen e detyrimeve tatimore, si dhe vërtetim i gjendjes gjyqësore për administratorin dhe drejtuesin teknik të shoqërisë.

 

Këto 2 dokumente do të gjenerohen nëpërmjet ndërveprimit institucion me institucion nga sistemi i qarkullimit të dokumenteve me nënshkrim elektronik. 

 

Paralelisht, gjatë aplikimit do të kërkohet edhe dokumenti i lëshuar nga gjykata, i cili të vërtetojë se administratori dhe drejtuesi teknik I shoqërisë nuk janë në proces penal.

 

Këto ndryshime, vijnë në një kohë kur operatorët e transportit ndërqytetës kanë kërkuar mbështetjen e qeverisë për shkak të situatës së vështirë të krijuar si pasojë e rritjes së çmimit të karburantit. Ata kanë kërkuar heqjen e taksës së qarkullimit, uljen e TVSH, si dhe dhënien e subvencioneve.

 

Ndërkohë që, pasojat nga rritja e çmimit të naftës, vijnë pas goditjes që i dha pandemia, çka sipas Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban ka bërë që 20% e operatorëve në treg të mos riaplikojnë për t’u licencuar në ofrimin e këtij shërbimi. Aktualisht, në këtë sektor janë të punësuar 14 mijë vetë./Burimi:SCAN


Më të lexuarat