Ekspertet: Nje rritje tjeter e karburanteve rrezikon te ule konsumin
Një rritje tjetër e çmimit të karburantit do të kishte pasoja negative në ekonomi, pasi do të frenonte rritjen e saj dhe nga ana tjetër do të ulte konsumin.
“Do të rriste në muajit e parë çmimet e shërbimeve të transportit qoftë të mallrave ashtu edhe të udhëtarëve. Do të ulte konsumin nga konsumatorët familjar, ekonomia do të krijojë element të pasigurisë do të ndikonte në rritje të çmimeve të shërbimeve turistike.
Do kishte efekte frenuese dhe nuk do të realizohej plani i PBB për rritje me 4.1% apo 4.2% siç është parashikuar”, sqaron Eduart Gjokutaj. Eksperti fiskal Eduart Gjokutaj, thotë se qeveria duhet të mbrojë interesin publik, përballë kërkesës së bërë nga koncesionari kontrollit të pompave të naftës për rritje të tarifës së shërbimit.
“Qeveria duhet të shikojë interesin publik, pasi në kushtet e çmimeve të rritura kuptohet që nuk mund të flitet më as për optimizim të ekonomisë, por as për optimizim të konsumit i cili përbën një nga burimet kryesore të rritjes së PBB së vendit”, thotë Gjokutaj.
Edhe shoqata e hidrokarbureve thotë se pranimi i tarifës së re, do të shtrenjtonte më tej karburantin në vend, e për pasojë do të rriteshin më shumë kostot për qytetarët.
Për këtë koncesion edhe KLSH ka kërkuar që të monitorohet pasi shqiptarët nuk janë të mbrojtur nga abuzimet që bëhen në sistemin e matjes së sasisë së karburanteve.
Sipas auditimit, Drejtorisë së Metrologjisë i është hequr e drejta për të verifikuar instrumentet matëse që ofrohen nga privati, duke cenuar cilësinë e shërbimit./Burimi: Shqiptarja.com