
Gov-Tech dhe E-Albania, qeveria merr 65 mln USD borxh nga BB
Qeveria shqiptare ka konceptuar një projekt të dedikuar për shërbimet tech të avancuara dhe platformën E-Albania duke trokitur për një borxh të ri tek Banka Botërore.
Bëhet fjalë për një kredi 65 milionë dollarë për të cilin bordi i Bankës pritet të ketë një vendimmarrje në tetor të këtij viti.
Referuar projektit që ka si institucion huamarrës Ministrinë e Financave dhe institucion zbatues AKSHI ky projekt vjen nën emërtimin “Përmirësimi i aksesit Universal në Shërbimet Publike me Standard të Lartë përmes Gov-Tech”.
Në objektiv të projektit thuhet se është rritja e aksesit universal, cilësisë dhe përgjegjësisë pëe shërbimet prioritare. Në dokument nënvizohen edhe katër komponentët që do të përfshijë ky projekt në total.
“Bazuar në identifikimin e problemeve kyçe të zhvillimit dhe Teorisë së Ndryshimit të projektit, Qeveria e Shqipërisë dhe Ekipi i Bankës Botërore mbi këtë çështje identifikuan një sërë komponentësh dhe aktivitetesh. Aktivitetet janë të strukturuara rreth katër komponentëve:
-Komponenti 1: Zgjerimi dhe Rritja e Shërbimeve Elektronike: E-Albania 2.0. Ky komponent adreson problemet kyçe që lidhen me thjeshtimin dhe dixhitalizimin jo të plotë të shërbimeve dhe me mungesën e një platforme E-Albania me në qendër përdoruesin.
-Komponenti 2: Adresimi i ndarjeve dixhitale: Akses universal në shërbime të standardeve të larta. Ky komponent trajton problemet kryesore që lidhen me ndarjen dixhitale dhe standardet e dobëta të shërbimit.
-Komponenti 3: Katalizimi i Inovacionit: Teknologjitë e Reja dhe Ofrimi i Shërbimit që Udhëhiqet nga të Dhënat.
Ky komponent adreson problemet kryesore me mundësuesit e përzgjedhur të GovTech, përkatësisht që lidhen me inovacionin dixhital, aftësitë dixhitale dhe qeverisjen e të dhënave për shërbime të përmirësuara.
– Komponenti 4: Mjedisi Mundësues i GovTech dhe Mbështetja Teknike. Ky komponent trajton problemet kryesore lidhur me boshllëqet në mjedisin e politikave GovTech dhe kapacitetet e kufizuara për të koordinuar dhe zbatuar valën e ardhshme të reformave të dixhitalizimit.
Kjo do të mbështesë arritjen e rezultateve për secilin komponent” thuhet në projekt. I njëjti dokument tek rreziqet sociale prek në mënyrë të përciptë pjesën e sigurisë së të dhënave.
Tek niveli i riskut social nënvizohet se “ka gjithashtu shqetësim për rreziqet që lidhen me mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë. Njerëzit duhet të besojnë se shërbimet dixhitale do të përdorin të dhënat e mbledhura vetëm për qëllimet e synuara dhe se të dhënat e tyre personale janë të sigurta.
Legjislacioni është në fuqi, por elementet kyç që ofrojnë mbrojtjen e të dhënave dhe mbrojtjen e konsumatorit janë shpesh të dobëta. Keqpërdorimi i të dhënave, humbja e të dhënave ose keqpërdorimi ka potencialin për t’i vënë njerëzit në rrezik të diskriminimit”.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/gov-tech-dhe-e-albania-qeveria-kerkon-65-milione-usd-borxh-tek-banka-boterore/
Më të lexuarat








