Secondary Adv

Lufta Rusi-Ukraine, 4 drejtimet ku goditet ekonomia shqiptare

Ekonomia e Shqipërisë do të pësojë goditje direkte dhe të tërthorta nga sulmet e Rusisë në Ukrainë.

 

Çmimet e karburanteve dhe miellit pritet të rriten, pasi vendi importon nga Rusia 47% të nevojave vjetore me grurë dhe 12% të naftës. Pasojat indirekte do të vijnë nga rritja e përgjithshme e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë dhe ndikimet negative në turizëm.

 

Grosistët pohojnë se ka rezerva me naftë për tre muaj dhe me grurë, për 45 ditë, por pohojnë se furnizimet e reja do të jenë me çmime më të larta. Tre skenarët e ndikimit të luftës në ekonominë globale.

 

Kur sulmet e Rusisë në Ukrainë nisën në agimin e së enjtes më 24 shkurt, përtej sigurisë, shtetet kudo në botë filluan të përllogarisin kostot ekonomike të luftës. Tregjet globale që sapo kishin nisur rimëkëmbjen e brishtë pas pandemisë ranë në stres.

 

Çmimet e mallrave, sidomos naftës dhe grurit, u rritën menjëherë nga 5-8% brenda ditës. Siç ka treguar historia, krizat nuk i prekin njësoj të gjitha vendet.

 

Në kohë lufte, zinxhirët e furnizimit dëmtohen, ndaj shtetet që kanë rezerva të mëdha me furnizime vuajnë më pak, pasi shpesh edhe fuqia monetare nuk mjafton nëse mallrat mungojnë.

 

Nëse lufta zgjat dhe sanksionet gjithashtu, Shqipëria do ndikohet prej saj me furnizimin e mallrave kryesore në vend, bukës dhe naftës. Përballja tjetër do të jetë me pamundësinë për të frenuar rritjen e çmimeve që do të sjellë lufta për të gjithë artikujt e importit në tërësi.

 

Ajo do ta ndikojë vendin tonë direkt, për shkak të varësisë së furnizimeve me naftë dhe grurë nga Rusia dhe indirekt, me rritjen e çmimeve të mallrave, pasi Ukraina është eksportues kryesor global për lëndë të para për industrinë ushqimore (drithëra, vaj luledielli etj.).

 

Shqipëria siguron nga tregu rus 47% të nevojave vjetore për grurë dhe nga Ukraina 3.3%, sipas INSTAT. Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, tha se, rezervat e grurit në vendin tonë mjaftojnë për 45 ditë.

 

Ai e përjashtoi mundësinë e mbetjes pa furnizim, por tha se çmimi i drithërave do të rritet më tej. Luigj Aliaj, nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, pohoi se rezervat me karburante mjaftojnë për tre muaj, por shtoi se situata në furnizime dhe çmime do të evoluojë në varësi të situatës.

 

Izolimi ekonomik i Rusisë nga sanksionet që po vënë vendet perëndimore do të bllokojë ekonominë e 11-të më të madhe në botë, dobësimi i së cilës do të vërë në vështirësi furnizimin e botës me lëndë të para, sidomos me naftë.

 

Në skenarin më të keq, që nënkupton ndërprerje totale të gazit nga Rusia, ekonomia e Europës do të pësonte rënie me 3%, sipas një analize që bëri për këtë qëllim agjencia e lajmeve në SHBA, “Bloomberg”.

 

Lufta do të ndikojë edhe në sektorin e turizmit në Shqipëri, pasi ukrainasit përbënin 22% të lëvizjeve me charter drejt Shqipërisë./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat