Njihen pensionet me Kosoven, ende asnje marreveshje me Greqine
Greqia nuk sheh asnjë mundësi për marrëveshje me qeverinë shqiptare në njohjen e ndërsjelltë të pensioneve.
Në shtetin fqinj punojnë shumë shqiptarë dhe vlera e kontributeve është e konsiderueshme, çka do të thotë se Greqia ka pagesë të lartë për pensionin dhe e sheh pa interes t’i njohë emigrantëve edhe vitet e punës në atdheun e tyre.
“Me Greqinë gjërat janë të vonuara për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e palës greke. Ka pasur goxha iniciative nga ne për marrëveshjen por nuk ka pasur interes për ta diskutuar këtë çështje, në ndryshim nga Italia”, tha Astrit Hado.
“Pala greke duke qenë se aty jetojnë dhe punojnë një numër i lartë shqiptarësh, nisur edhe nga kosto me të cilat mund të përballen është çështje shumë delikate”, tha zëvendësministrja e Financave Olta Manjani.
Krejt e kundërta ndodh me Italinë, ku negociatat për njohjen e ndërsjelltë të viteve të punës kanë nisur, ndërsa sot do të diskutohet mes grupeve teknike. “Nga pala shqiptare është ngritur grupi i punës për të ndjekur marrëveshjes me palën italiane.
Nga pala shqiptare nuk ka pasur asnjë pengesë për fillimin e kësaj marrëveshje, ndërkohë që presim që së shpejti të fillojë puna për negocimin e marrëveshjes”, tha Manjani. Me Kosovën, marrëveshja është drejt zbatimit.
Në Komisionin e Shëndetësisë u miratua njohja e ndërsjellët e pensioneve.“Përfshihen, përfitime në para për barrë-lindje për personat e punësuar, të vetëpunësuar dhe për punëdhënësit, përfitime në para për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, si dhe pensioni i pleqërisë i invaliditetit dhe ai familjar.
Nga skema kosovare e sigurimeve përfshihen, e drejta në pension kontribut pagues të moshës, e drejta në pension invaliditor të punës, e drejta në pension familjar, e drejta në pension nga fondi i kursimeve familjare individuale” tha Zëvendësministrja e Financave, Olta Manjani.
“Nëse një qytetar shqiptar ka vetëm 10 vite punë në Shqipëri, dhe ka 5 vite në Kosovë, që të përfitosh pension pleqërie në Shqipëri duhet të kesh minimalisht 15 vite punë.
Totalizimi i periudhave që ka shtetas në Shqipëri dhe Kosovë, i hap rrugën përfitimit të pensionit, pasi bën 15 vite. Ndërsa llogaritja e pensionit do të bëhet kështu, për 10 vite që ka paguar në Shqipëri do të marri pension vetëm për 10 vjet, dhe në Kosovë do të marrë vetëm 5 vjet”, tha Astrit Hado.
Deri në fund të vitit 2021, në vendin tonë punonin 161 kosovarë, ndërsa atje punonin 543 shqiptarë./Burimi: Shqiptarja.com