Secondary Adv

Doing Business 2016: Shqiperia zbret me 35 vende, perkeqesohen pagesat e taksave

Shqipëria ka zbritur 35 vende në raportin e “Doing Business 2016”, të publikuar sot nga Banka Botërore, duke shënuar rezultatin më negativ të viteve të fundit. Shqipëria renditet në vendin e 97, nga pozicioni i 62 ku ishte një vit më parë, ndërsa është ulur me 6.27 pikë.


Sipas tabelës kryesorë të publikuar nga Banka për Shqipërinë, të gjithë treguesit kanë shënuar përkeqësim, me përjashtim të mbrojtjes së investitorëve të pakicës, ku Shqipëria është përmirësuar me 10 vende. Rënien më të madhe e ka shënuar dhënia e lejeve të ndërtimit ku Shqipëria ka zbritur me 67 vende në pozicionin e 189. Bllokimi i lejeve të ndërtimit duket se ka ndikuar në këtë përkeqësim, pasi në tre treguesit, numri i procedurave, koha (ditë) dhe kosto (% e vlerës së ndërtesës) është shënuar që nuk ka praktikë.


Rezultat negativ ka marrë dhe pagimi i taksave, me një rënie me 12 pozicione, duke zbritur në vendin e 142. Norma totale e taksave në përqindje ndaj fitimit ishte 36.5%, nga 34.8% që është mesatarja e Europës Lindore dhe Azisë dhe 41.2% që është për vendet me të ardhura të larta të OECD. Rritja e tatim fitimit nga 10 në 15% nga 1 janari 2014 rezulton të ketë shtuar barrën e taksave për bizneset. Marrja e kredisë ka zbritur me 6 pozicione; energjia me 3; regjistrimi i pasurisë me 3 vende.


Edhe fillimi i një biznesi, një nga treguesit ku Shqipëria kishte pasur ecurinë më të mirë vitet e fundit është përkeqësuar me 4 pozicione, duke zbritur në vendin e 58. Nuk kanë pasur ndryshime zbatimi i kontratës dhe tregtia kufitare. Vitet e fundit Shqipëria kishte shënuar një përmirësim të vazhdueshëm në raportet e “Doing Business” të Bankës Botërore, të cilat janë referencë krahasuese për çdo investitor të huaj që është në kërkim të një vendi për të zhvilluar biznes. Vetëm vitin e kaluar, Shqipëria u përmirësua me 40 pozicione, (duke u ngjitur në vendine e 62) të cilat i humbi një vit më pas. Renditja e këtij viti vlerëson kryesisht reformat e vitit 2014.


Vetëm një vit më parë ministri i ekonomisë Arben Ahmetaj do të komentonte ngjitjen e Shqipërisë me 40 vende: “Sot e filluam ditën me një lajm fantastik për ekonominë shqiptare dhe klimën e biznesit ne vend, te cilin dua ta ndaj edhe me ju. Raporti Doing Business i Bankës Botërore, publikuar sot, e rendit Shqipërinë në vendin 68 në botë. Në vetëm 1 vit në detyrë arritëm një përmirësim prej 22 vendesh në renditje. Këto janë lajmet e mira që vazhdojnë të vijnë për ekonominë tonë. Modeli i ri ekonomik ka filluar të funksionojë!”-citohej në mesazhin e Ahmetaj, ndërsa pritet reagimi për përkeqësimin e renditjes këtë vit. Banka Botërore: Ka ndryshuar metodologjia, vendet e tjera, reforma me ritme më të shpejta.

 


Banka Botërore: Ka ndryshuar metodologjia, vendet e tjera, reforma me ritme më të shpejta
“Sipas raportit të sapo prezantuar “Të bësh biznes 2016”, Shqipëria ka kryer dy reforma të reja për të lehtësuar bërjen bines duke u renditur e 97 në klasifikimin e përgjithshëm. Renditja shënon ulje dhe nuk është e krahasueshme me atë të raportit të 2015 për shkak të ndryshimeve metodologjike dhe rishikimit të të dhënave. Në këtë renditje kanë kontribuar edhe ritmi më i shpejtë i reformave në vende të tjera, efekti i përkohshëm i reformave në vazhdim si ajo territoriale, që përfshin nje moratorium afatshkurtër për ndalimin e lejeve të ndërtimit”, thuhet në njoftimin zyrtar të bankës Botërore.
Raporti “Të bësh biznes” i këtij viti është kurorëzim i një pune dyvjeçare për zgjerimin e treguesve të krahasimit që matin cilësinë e rregullimit, si edhe efikasitetin e kuadrit rregullator të biznesit, për të rrokur më mirë realitetin në terren. Për të pesë treguesit që kanë ndryshuar në këtë raport – procedura e lejeve të ndërtimit, furnizimi me energji elektrike, ekzekutimi i kontratave, regjistrimi i pronave dhe tregtia ndërkufitare – ekonomitë e Evropës dhe Azisë Qendrore kanë pasur ecuri të mirë, çka ka ndikuar pozitivisht renditjen e tyre në krahasim me vendet e tjera të botës./Monitor


Më të lexuarat