
Vendimi, ja 14 bashkite qe do te japin leje ndertimi
Publikohet vendimi i qeverisë për bashkitë ku do të lejohen dhëniet e lejeve ndërtimore. Përpos vendimit për bllokimin e ndërtimeve për 1 vit, të firmosur nga kryeministri Rama, me propozim të ministrit të Zhvillimit Urban, do të përjashtohen nga ky “rregull” 14 bashki.
Janë disa vendime të Qeverisë dhe Këshillit Kombëtar të Territorit që kanë sjellë kaos për mënyrën dhe qytetet ku do të jepen leje ndërtimi. Kjo e ka shtyrë ministren e Zhvillimit Urban t’u dërgojë një letër sqaruese të 61 kryetarëve të rinj të bashkive.
Gazeta “Panorama” ka arritur të gjejë shkresën ku përcaktohen 14 qytete, të cilat i kanë miratuar deri tani planet rregulluese të vazhdojnë të japin leje të reja ndërtimi. Sipas kësaj shkrese, bashkitë e tjera do të japin leje ndërtimi vetëm për zhvillim ekonomik, por jo për godina banimi. Nga ana tjetër, vazhdon të qëndrojë në fuqi pjesa e vendimit që përcakton KKT si organin e vetëm i cili mund të japë leje ndërtimi për godinat mbi 6 kate. Dhe në mbledhjen e fundit KKT ka dhënë të paktën 6 leje për “Godinë banimi dhe shërbimesh” që variojnë nga 4 deri në 13 kate.
Bashkitë me leje
“Të gjitha Bashkitë të cilat kanë plan të përgjithshëm vendor të miratuar dhe përfshihen në hartën e miratuar (Bashkitë Shkodër, Tiranë, Durrës, Himarë, Lushnjë, Berat, Kamëz, Fier, Vorë, Mamurras, Rrogozhinë, Fushë-Krujë, Bulqizë, Korçë), duhet të pranojnë për shqyrtim dhe miratim të gjitha kërkesat për leje zhvillimore/ ndërtimi, në përputhje me planin e miratuar dhe dispozitat ligjore dhe nënligjore në fuqi”, thuhet në letrën e Gjermenit për bashkitë.Qartësisht letra konfirmon që ato bashki që kanë të miratuara planet rregulluese, duhet të vazhdojnë zhvillimin e qyteteve. Por sërish ka një kusht. Kjo është pika tjetër e vendimit. “Për objektet mbi 6 kate, leja e ndërtimit jepet nga Këshilli Kombëtar i Territorit”. Pra, të 14 kryebashkiakët e rinj mund të japin leje vetëm për pallate të ulëta deri në 6 kate. Kur lartësia e kalon këtë shifër, atëherë do të jetë Kryeministri, si kryetar i KKT, i cili duhet të firmosë lejen e ndërtimit.
Bashkitë pa leje
Por sërish këto bashki janë fatlume. Pasi 47 bashkitë e tjera nuk kanë akoma asnjë kompetencë për zhvillimin e lejeve të ndërtimit. Edhe në letrën e Gjermenit theksohet se të gjitha bashkitë e tjera, pra, përjashtuar 14 të sipërcituarat, duhet të marrin në shqyrtim vetëm kërkesat për leje për infrastrukturën, ndërtime të strukturave publike, struktura me funksion prodhues, industrial, duke përfshirë këtu ato me material porositës, struktura në funksion të prodhimit, përpunimit dhe distribucionit të produkteve bujqësore e blegtorale.
Shtëpitë e turizmit
Duke qenë se tashmë bashkitë kanë në zotërim sipërfaqe të mëdha të territorit, bashkë me komunat ka qindra kërkesa për shtëpi banimi. Pra, për shtëpi të vogla, përdhese ose dykatëshe. Në letrën e Gjermenit sqarohet se 47 bashkitë, por edhe bashkitë e tjera që kanë plane rregulluese, mund të japin leje ndërtimi për “banesa individuale/njëfamiljare, kërkuar nga pronari i truallit për strehimin primar të tij, me sipërfaqe totale ndërtimi deri në 250 m²; shtesa në banesa individuale/njëfamiljare ekzistuese, deri në masën 50% të sipërfaqes së tyre totale të ndërtimit”. Nga ana tjetër, një pikë interesante e sqarimit është mundësia për zhvillimin e turizmit. Bashkitë lejohet të japin leje edhe për “struktura me funksion turistik”.
Afati i lejeve
Në letër, Gjermeni saktëson edhe mundësitë që kanë bashkitë për shlyerjen e afatit të lejeve, të cilat nuk kanë filluar zbatimin. “Gjithashtu, të gjitha Bashkitë mund të vijojnë me shqyrtimin e kërkesave për shtyrjen e afatit të lejes për lejet e ndërtimit, të cilave u ka përfunduar afati i zbatimit të punimeve, të përcaktuar në formularin e lejes përkatëse, sipas dispozitave të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’ dhe vendimit të KKT-së nr. 1, datë 30.07.2015″, theksohet në shkresën dërguar bashkive./Panorama
Më të lexuarat








