
Buxheti 2016, fond shtese per pensionet. Katerfishohen shperblimet!
Pagat dhe pensionet planifikohen të rriten me 3 deri në 4 për qind për vitin 2016. Sipas projektbuxhetit 2016, i cili do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave, por edhe në bazë të kuadrit fiskal të rishikuar në korrik, fondi i pagave do të rritet me rreth 1 miliard lekë.
Në zërin paga, për vitin 2016 planifikohen 64.412 miliardë lekë, ndërkohë që fondi i shpërblimeve, ose i quajtur ndryshe “fondi i veçantë i pagave”, nga 340 milionë që ishte për këtë vit do të shkojë në 1.5 miliardë lekë. Nëse qeveria i shpenzon këto para brenda vitit, rritja e pagës për punonjësit e administratës do të jetë pak më sipër sesa inflacioni real. Lidhur me pensionet, për të cilat ka edhe një ndjeshmëri të lartë të publikut, për herë të parë, që pas ardhjes në pushtet, qeveria socialiste ka ndarë një fond të veçantë të quajtur “Politika të reja pensionesh”. Ky fond është 1.17 miliardë lekë dhe do të mjaftonte për të kënaqur pensionistët me një rritje minimale që mund të zbatohet në çdo kohë të vitit. Ndërkaq, në muajin korrik sipas ligjit, qeveria bën edhe një rritje të detyrueshme të pensioneve, e cila është sa niveli vjetor i inflacionit. Këtë shtesë, për dy vitet e kaluara, qeveria e ka plotësuar nga fondi rezervë dhe nga vetë buxheti i Sigurimeve Shoqërore.
Të ardhurat
Totali i të ardhurave buxhetore për vitin 2016 planifikohet të jetë në nivelin rreth 422,9 miliardë lekë ose rreth 24.7 miliardë lekë më tepër sesa ky vit. Megjithatë, gjithçka varet nga ecuria e rritjes ekonomike dhe mbledhja e të ardhurave tatimore. Qeveria planifikon një rritje sa dyfishi i kësaj të ardhure shtesë për këtë vit, por u detyrua të rishikonte në ulje planet. Ndërkaq, të ardhurat tatimore pritet të rriten me rreth 27.9 miliardë lekë, duke kapur nivelin 383.5 miliardë lekë. Nga këto: Të ardhurat nga tatimet dhe doganat rriten me rreth 20.7 miliardë lekë. Kjo rritje i dedikohet kryesisht Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, i cili për vitin 2016 parashikohet rreth 10 miliardë lekë më shumë se buxheti i vitit 2015. Po kështu, rritje të konsiderueshme të të ardhurave parashikohen edhe për akcizat, nga të cilat planifikohet të mblidhen rreth 3 miliardë lekë më tepër. Rritje të tjera të vogla priten në të gjitha zërat e të ardhurave, por për të ardhurat jotatimore, kryesisht nga institucionet buxhetore parashikohet ulje me rreth 6 miliardë lekë.
Shpenzimet dhe rritja ekonomike
Totali i investimeve publike për vitin 2015 është planifikuar të jetë në të njëjtin nivel me atë të vitit 2015. Ndërsa shuma e përgjithshme e shpenzimeve do të jenë rreth 10 miliardë lekë më shumë. Por, në raport me Prodhimin e Brendshëm Kombëtar, shpenzimet totale do të jenë 30.5% e PBB-së, ose 1.2% më pak se vitit 2015. Kjo reflekton përpjekjen e qeverisë për të ulur kurbën e borxhit publik i cili mbetet i lartë. për vitin 2016, borxhi publik do të ulet në nivelin 71.3% e PBB-së, nga 72.1% që është këtë vit. Rritja ekonomike parashikohet të jetë më e ulët sesa ishte në planet e një viti më parë.
Kështu, nga 4. për qind që ishte parashikuar, kjo rritje rishikohet në nivelin 3.4 për qind. Ndikim të rëndësishëm pritet të kenë disa faktorë të jashtëm, si vazhdimi i rimëkëmbjes ekonomike të Eurozonës dhe veçanërisht në Greqi, pavarësisht ritmit më të ulët nga sa pritej, si dhe disa faktorë të brendshëm (rritja e investimeve të huaja, veçanërisht në energji, rritja e eksporteve, si dhe progresi i dukshëm në projekte investimesh të rëndësishme). Niveli i lartë i borxhit publik mbetet rreziku kryesor për arritjen e një rritjeje ekonomike të lartë e të qëndrueshme. Në nëntor 2015, qeveria mund të realizojë shitjen e eurobondit në shumën deri në 500 milionë euro, që pretendohet se do të çlirojë kredidhënien e bankave, por do të vështirësojë njëkohësisht mbajtjen e nivelit të borxhit publik.
Më të lexuarat








