Takimi mbarekombetar i biznesit, vendet e rajonit vendosin ura bashkepunimi
Biznese të shumta nga Maqedonia, Mali i Zi, Kosova dhe nga Shqipëria u takuan sot në frymën e një takimi mbarëkombëtar për të vendosur urat e duhura të bashkëpunimit. Kreu i Dhomës Shqiptare të Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit (ACITAD), Blenard Durmishi në nisje të eventit foli për një iniciativë për zgjerim kufijsh.
“Shqipëria aspiron të qenit një shtet në BE, ndaj duhet të përgatitemi për mjedisin e ri që do të krijohet, në të cilin sfidat shtohen. Ndaj, takime të tilla mbarëkombëtare do të sjellin shkëmbim eksperiencash mes biznesesh, të intenstifikojnë kontaktet për të krijuar një ekonomi rajonale, e cila do të mund të jenë konkurruese globalisht” – tha z. Durmishi.
Ai tregoi se këto marrëdhënie mes shteteve në rajon duhet të rriten, pavarësisht se këtë vit, vëllimi tregtar me Kosovën pati rritje me 3 % dhe 1.3 % me Malin e Zi. Nga ana tjetër, zv.ministri i Ekonomisë Elvin Mete theksoi shtimin e bashkëpunimit mes shteteve rajonale. “Tregu i Ballkanit perëndimor , ashtu rajonal sikurse është, duhet bërë aktraktive për investitorët e huaj. Ne duhet të punojmë në heqjen e barrierave në të bërit biznes. Liberalizmi i tyre i jep mundësi shkëmbimesh mes bizneseve”- tha z. Mete.
Ai tregoi se qeveria shqiptare ka ndërmarrë 4 hapa për të lehtësuar të bërit biznes në vendin tonë: ligji i turizmit, ligji i investimeve strategjike, ligji i koncesionit dhe drafti i ri per lundrimin detar. Zv.ministri përmendi edhe aksionin antiinformalitet, sipas të cilit ishte një detyrim ndaj bizneseve të ndershme që paguanin gjithnjë detyrimet e tyre.
Ndërsa ministri i mirëqenies sociale Blendi Klosi iu drejtua bizneseve me fokusin për të gjetur terren për 150 mijë persona të papunë që aktualisht janë në kërkim të një pune. Sipas ministrit, duhet një bashkëpunim për të ofruar mundësi për këtë kontigjent. Të kontaktuar nga Monitor, disa nga bizneset pjesëmarrëse në këtë takim, u shprehen pozitivë për aksionin antiinformalitet, duke argumentuar se më në fund po vendoset rregull. “Nuk mund të jemi të barabartë me një numër biznesesh, të cilat kurrë nuk kanë paguar detyrimet, ndaj themi që jemi dakord me aksionin. Ne punojmë fort për të qenë në rregull me ligjin, ndaj duhet barazi”- pohojnë ata.