Asambleja e OKB, 141 shtete votojne rezoluten kunder sulmit rus
Bota është e unifikuar për të dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Edhe Serbia e cila deri më tani ishte e dyzuar dhe nuk kishte mbajtur qëndrim kundër Putin, ka votuar për dënimin e sulmit rus ndaj Ukrainës. Nga ana tjetër edhe Kina, një superfuqi botërore, ka zgjedhur të abstenojë duke mos e mbështetur Rusinë në aktet e saj agresive ndaj Ukrainës.
Më shumë se 2/3 e gjithë anëtarëve të OKB votuan pro ku Ballkani dhe Perëndimi ishin unanim nën një zë në qëndrimin e tyre për të dënuar Rusinë.
Kur Rusia aneksoi Krimenë në 2014, shtetet që dënuan këtë akt në Asamblenë e Përgjithshme të OKB ishin vetëm 100, ndërsa sot kur Rusia po zhvillon një luftë të paprovokuar kundër Ukrainës, bota është vendosur në një zë dhe qëndrim të unifikuar "Rusia duhet të ndalet" dhe janë 141 shtet që e kërkojnë këtë.
141 vende të botës kanë votuar pro në Asamblenë e Përgjithshme e OKB rezolutën kundër agresionit rus të propozuar nga Shqipëria dhe SHBA. 35 abstenuan mes të cilave edhe Kina, ndërsa 5 vende votuan kundër që ishin Rusia, Koreja e Veriut, Eritrea, Siria, Bjellorusia kanë votuar kundër.
Miratimi i rezolutës nga OKB kundër Rusisë është përshëndetur edhe nga presidenti i Ukrainës, Zelensky, i cili tha se bota krijoi një koalicion të gjerë anti-Putin dhe u rreshtua në anë e duhur të historisë.
"Unë jam mirënjohës për të gjitha shtetet që votuan pro. Ju keni zgjedhur anën e duhur të historisë. Rezultati i votimit tregon bindshëm se një koalicion global anti-Putin është krijuar dhe po funksionon.", tha ai.
Vota pro e Serbisë për të dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës është cilësuar nga kryeministri Edi Rama si unifikim i Ballkanit Perëndimor me Perëndimin. Kreu i qeverisë shkruan se Rusia hyn në periudhën e vetmisë më të madhe të historisë së saj me veç 4 vende ultradiktatoriale që i qëndrojnë në krah.
'141 vende ndëshkojnë Rusinë me votimin e tyre në OKB kundër agresionit ndaj Ukrainës! Rusia hyn në periudhën e vetmisë më të madhe të historisë së saj me veç 4 vende ultradiktatoriale që i qëndrojnë në krah!
Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin.'- shkruan Rama. Ndërsa ministrja e Jashtme Olta Xhaçka shkruan se diktatori Vladimir Putin duhet ta dëgjojë njerëzimin.
“141 vota për paqen në Ukrainë! Vetëm 5 vota kundër: Rusia, Koreja e Veriut, Eritrea, Siria, Bjellorusia. Bota ka folur kundër agresionit rus! Diktatori i Rusisë duhet të dëgjojë njerëzimin”, shkruan Xhaçka.
Asambleja e Përgjithshme e OKB u mblodh pasi Këshilli i Sigurimit nuk e miratoi rezolutën e propozuar nga Shqipëria dhe SHBA për shkak të vetos që vendosi Rusia.
Duhet theksuar se rezoluta e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme nuk është ligjërisht detyruese si rezolutat e Këshillit të Sigurimit./Burimi: Shqiptarja.com