Dy oferta per zonen ekonomike te Spitalles, fituesi shpallet pas 30 ditesh
Kinezët dhe italianët kanë shfaqur interes për të zhvilluar Zonën e Teknologjise dhe Ekonomike të Spitallës, në Durrës. Pas përfundimit të procedurës konkurruese, nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave mësohet se u paraqitën 2 oferta.
Konsorciumi i kompanive kineze “Zhejiang Haiteng Investment Co., Ltd” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co.Ltd”, oferta e të cilëve parashikon një vlerë investimi në shumën e 1.5 miliardë USD. Periudha e përfundimit të të gjitha fazave e ofruar është 9 vjet ndërsa aktivitetet që do të zhvillohen brenda në zonë përfshijnë industrinë e lehtë dhe atë të mesme. Në planin e saj të biznesit, kompania kineze parashikon hapjen e rreth 90 mijë vendeve të punës brenda periudhës në fjalë.
Kompania e dytë e cila dorëzoi ofertën e saj ishte kompania italiane “RENDur4” sh.p.k, për të cilën komisioni është duke shqyrtuar ofertën. Procedura e përzgjedhjes së zhvilluesit të zonës ekonomike, është mbështetur në Ligjin nr. 9789, datë 19.07.2007 “Për krijimin dhe funksionimin e Zonave Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik”, VKM-në nr. 646, datë 22.07.2015 “Për përcaktimin e procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, VKM- në nr. 666 datë 29.07.2015 “Për shpalljen e zonës së teknologjisë dhe të zhvillimit ekonomik në Spitallë, Durrës”, si dhe Urdhrin e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Nr. 6404 datë 13.08.2015, “Për fillimin e procedurës përzgjedhëse të zhvilluesit të zonës teknologjike të zhvillimit ekonomik në Spitallë, Durrës.
Nga ana e Njësisë së Hartimit të Dokumenteve janë hartuar dokumentet standarde. Njoftimi i kontratës është publikuar në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik në Buletinin Nr. 33 datë 24.08.2015; në Bulentin e Njoftimeve Zyrtare Nr. 13, datë 24.08.2015; në faqen zyrtare të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes më datë 24.08.2015; në Faqen zyrtare të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve më date 24.08.2015; në gazetën Financial Times më datë 26,27 dhe 28.08.2015.Ndërsa Dokumentet e procedurës Përzgjedhëse janë publikuar on line në website të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në website te AIDA dhe në faqen e dedikuar për zonat ekonomike www. TEDA.gov.al
Komisioni i vlerësimit, në bazë të nenit 13 të VKM nr. 646 datë 22.07.2015 “Për përcaktimin e procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, do të tërhiqet për të vazhduar punën për verifikimin e dokumentacionit të paraqitur me ofertat, nga kompanitë pjesëmarrëse dhe pas vlerësimit do të përgatisë Raportin përkatës të Vlerësimit dhe do të njoftojë të gjithë ofertuesit se brenda 30 ditëve do të njoftojë në mënyrë zyrtare të 7gjithë ofertuesit pjesëmarrës për ditën, vendin dhe orën për klasifikimin përfundimtar të kandidatëve/ ofertues./Monitor