Nis projekti per rehabilitimin e qendres se Kukesit
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni ishte sot në qytetin e Kukësit, ku inspektoi projektet e financuara nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve për vitin 2014 dhe 2015. Vlera totale e investimeve të përfituara nga Bashkia Kukës në këto dy vite është 181 mln lekë për 4 projekte.
“Projekti ‘Rikualifikim urban i sheshit qendror të qytetit’, që ne inspektuam sot, i financuar nga Qeveria nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve me vlerë rreth njëqind e pesëdhjetë milionë lekë e që pritet të përfundojë brenda fillimit të vitit 2016, do t’i ofrojë një tjetër fizionomi urbane qytetit të Kukësit”, – tha Gjermeni.
Ky është projekti i dytë që Kukësi si qytet përfiton nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, pas zbatimit me sukses të projektit me vlerë tridhjetë milionë lekë të financuar në vitin 2014, që mundësoi rikonstruksionin e plotë të tre segmenteve rrugore më të përdorura nga qytetarët, konkretisht: Rruga Kryqëzim “Shote Galica – Kryqëzim Artizanati”; Rruga Haraveli – Rruga Stadiumi; Rruga St. Autobuzave-Dega Ushtarake.Bashkia Kukës është gjithashtu një nga 26 bashkitë që do të përfitojë asistencë teknike dhe financiare nga Qeveria për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor.