Rriten me 3,1 per qind kostot ne ndertim, cmimet e lendeve te para te larta
Rritja e çmimeve të mallrave po nxit rritjen e kostove në zinxhirët e prodhimit.
INSTAT raportoi se sot se Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (tregues që mat ndryshimin e kostove) arriti në 103,1% kundrejt tremujorit të katërt 2020 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e katërt 2021 është 3,1%, një vit më parë ky ndryshim ishte – 0,1%.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime transporti” me 4,5%, pasuar nga grupet “Shpenzime materiale” me 4,1%, “Kosto të tjera” me 3,1%, “Shpenzime për paga” me 2,9%, “Shpenzime energjie” me 1,5% dhe “Shpenzime makinerie” me 0,6%.
Brenda grupit “ Shpenzime materiale”, indekset e nëngrupit “Materiale ndërtimi” dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” shënuan rritjen më të lartë me 4,1% secili, pasuar nga grupi “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 3,6%.
Ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021 rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime transporti” me 1,6%, pasuar nga grupet “Shpenzime materiale” me 1,3%, “Kosto të tjera” me 1,0% “Shpenzime për paga” me 0,9% dhe “Shpenzime energjie” me 0,1%.
Ndërsa, ulje ka shënuar grupi “Shpenzime makinerie” me 0,2%. Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (për Banesa) (IKN) mat ecurinë e çmimeve të materialeve të ndërtimit, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese tip (8 – 10 kate).
Peshat e shportës së materialeve janë llogaritur duke u bazuar në preventivat e shpenzimeve për ndërtimin e një banese shumëkatëshe marrë nga firmat e ndërtimit. Shporta e re përbëhet nga 71 zëra nga të cilat 66 janë materiale ndërtimi.
Çmimet për materialet e ndërtimit mblidhen nga 217 distributorë dhe shitës me shumicë të materialeve të ndërtimit. Ndërsa, të dhënat për shpenzimet për pagat, makineritë dhe transportin merren nga 85 ndërmarrje të mëdha ndërtimi të përqendruara kryesisht në rrethin e Tiranës.
Rritja e çmimeve të lëndëve të para ka ushtruar presion në rritjen e kostove në sektorin e prodhimit. Kostot e tjera prodhuese kanë kaluar në një tendencë zgjeruese pas disa tremujorësh tkurrjeje në terma vjetorë.
Ndërtimi ishte një nga aktivitetet që u ndikua më pak nga kriza e pandemisë, teksa sektori rezidencial përfitoi dhe nga lulëzimi i pazakontë i shitjeve të pasurive të paluajtshme, që udhëhoqi performancën ekonomike në vitin 2020.
Që prej 2014 sektori i është rikthyer ciklit zgjerues, ndonëse me ritme më të ulëta se në periudhën e mëparshme./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/cmimet-e-lendeve-te-para-rrisin-kostot-ne-ndertim-me-3-1-ne-tremujorin-e-katert-2021-niveli-me-i-larte-i-dekades/