Secondary Adv

Legalizimet, 20 mije tapi brenda 2015-es, 1.3 mld leke per kompensimin e pronareve

Rreth 446 mijë ndërtime informale raportohen në të gjitha qytetet e Shqipërisë, ku numrin më të lartë e ka Tirana dhe më pas Durrësi, Elbasani dhe Fieri. Kreu i ALUZINI-t Artan Lame ka raportuar dje në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese mbi ecurinë një vjeçare të ALUIZNI-t, ku u shpreh se legalizimi i ndërtimeve në zonat informale do të përfundojë brenda këtij mandati qeverisës.


Ndërtimet pa leje
Lame vuri në dukje se deri në fund të vitit 2015, do të bëhen 20 mijë legalizime. Sipas tij, janë kryer rreth 446 mijë vetëdeklarime për ndërtime pa leje që prej vitit 2005, nga të cilat rezulton se 100 mijë janë rideklarime për të njëjtin objekt, ndërsa 200 mijë janë ndërtime, që bëjnë pjesë në grupin e ndërtimeve në zonat informale dhe zonat urbane. “Ndër vite numri i aplikimeve ka qenë i lartë, dhe që nga 2005-a e deri më tani janë deklaruar 446 mijë ndërtime informale, ndërkohë që deri në përfundim të këtij viti do të shtohen edhe 15 mijë ndërtime të tjera pa leje. Duke pasur parasysh numrin e lartë të aplikimeve për legalizim dhe rëndësinë që ka etapa e përditësimit në terren, për të siguruar vazhdimësinë e procedurave të legalizimit, pritet që në përfundim të vitit 2015, të shtohen edhe 15.000 objekte të përditësuara, nëpërmjet prokurimit të këtij shërbimi me fonde të arkëtuara nga parcela ndërtimore,” thotë Artan Lame.


Legalizimet
Lame deklaroi më tej se në këto dy vite janë legalizuar rreth 40 mijë ndërtime dhe janë bërë 124 mijë objekte të matura. Në një kohë që nga vitit 2006-2013 rezulton të jenë legalizuar 21 mijë ndërtime, gjysma prej të cilave duhet të rianalizohen, pasi janë në kundërshtim me ligjin. I pyetur nga deputetet për çështjen e “Lagunës blu”, Lame shpjegoi se leja për ndërtimet në këtë zonë është dhënë nga qeveria “Berisha”, ashtu sikurse vijoi ai, është dhënë dhe leja për ndërtimin e pallatit në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës. Gjithsej leje legalizimi të dhëna në periudhën 2006-2015, janë 57.000 leje. Sipas ALUIZNI-t me ndryshimet që pësoi ligji nr.9482/2006 në vitin 2014 dhe 2015 dhe me miratimin e kuadrit të plotë të akteve nënligjore, u bë i mundur përshpejtimi i ritmeve të procesit të legalizimit duke mundësuar legalizimin e 15.294 ndërtimeve në vitin 2014 dhe 19.714 të tjerave për periudhën janar-26 tetor 2015. “Numri i lejeve të dhëna në më pak se dy vite (35.008 në 19 muaj), është rreth 1.5 herë më i madh se sa lejet e dhëna në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme,” thotë Lame.


Kompensimi i pronarëve
Lidhur me procedurat e kalimit të së drejtës së pronësisë dhe kompensimit të pronarëve, ALUIZNI thekson se është hartuar dokumentacioni i nevojshëm i cili ka rezultuar në miratimin nga Këshilli i Ministrave të kalimit të së drejtës së pronësisë për 4.944 parcela ndërtimore, të zëna nga ndërtimet pa leje; shpërblimit financiar të 499 subjekteve, pronarë të pasurive të paluajtshme, të prekura nga ndërtimet pa leje. Nga vlera (rreth 1.9 miliardë lekë) e mbledhur nëpërmjet kalimit të së drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore për periudhën 2014-2015, janë transferuar në fondin special të kompensimit, afro 1.3 miliardë lekë të cilat përdoren për shpërblimin e pronarëve, pronat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje.


Më të lexuarat