Secondary Adv

Banka Boterore paralajmeron: Lufta do rezultoje nje katastrofe per boten

Lufta në Ukrainë është "një katastrofë" për botën që do të ngadalësojë rritjen ekonomike globale, tha presidenti i Bankës Botërore.

 

Sipas David Malpass, lufta në Ukrainë vjen në një kohë të keqe për botën, sepse inflacioni tashmë po rritej. Ai theksoi se shqetësimi i tij më i madh është "për humbjen e jetëve njerëzore" që po ndodh.

 

Malpass u shpreh se ndikimi ekonomik i luftës shtrihet përtej kufijve të Ukrainës dhe rritja e çmimeve globale të energjisë në veçanti "do godasë më së shumti të varfrit, ashtu si edhe inflacioni".

 

Çmimet e ushqimeve janë rritur gjithashtu nga lufta dhe "janë një problem shumë real për njerëzit në vendet e varfra". Malpass thekson se Rusia dhe Ukraina janë prodhues të mëdhenj të ushqimit.

 

Ukraina është prodhuesi më i madh në botë i vajit të lulediellit, me Rusinë numrin dy, sipas S&P Global Platts. Ato përbëjnë 60% të prodhimit global. Të dy vendet përbëjnë gjithashtu 28.9% të eksporteve globale të grurit.

 

Çmimet e grurit në bursën e Çikagos janë tregtuar në nivelet më të larta të 14 viteve. Furnizimet ruse të këtyre mallrave janë duke u kufizuar për shkak të sanksioneve.

 

Furnizimet ukrainase janë ndalur sepse luftimet kanë mbyllur portet e vendit. "Nuk ka asnjë mënyrë për t'u përshtatur mjaft shpejt me humbjen e furnizimit nga Ukraina dhe nga Rusia, dhe kjo do të rrisë çmimet," tha Malpass.

 

Ai u shpreh se e njëjta gjë vlen edhe për furnizimet me energji dhe është veçanërisht e dëmshme për Evropën Perëndimore, ku qeveritë kanë "neglizhuar aspekte të tjera se si të kenë mjaftueshëm energji elektrike".

 

Rreth 39% e energjisë elektrike të BE-së vjen nga termocentralet që djegin lëndë djegëse fosile dhe Rusia është burimi më i madh i kësaj nafte dhe gazi./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat