Rruga e kombit, 2 kompani ne gare, fituesi shpallet te henen
Pas një shtyrjeje të gjatë, janë paraqitur dje dy oferta në tenderin për të marrë koncesionin për ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit.
Sipas Ministrisë së Transporteve, nga katër kompani të interesuara, vetëm dy prej tyre paraqitën zyrtarisht oferta, ndërkohë që fituesi do të mësohet të hënën. “Në këtë garë paraqitën ofertat 2 kompani, “China Construction Commucination Company” L.T.D dhe “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ticaret L.T.D & Salillari”. Komisioni i vlerësimit dhe konsulenti ndërkombëtar “International Financial Coorporation”, do të vlerësojnë propozimet teknike dhe ligjore, dhe oferta më e mirë do të shpallet fituese ditën e hënë në orën 16.00”, theksoi Ministria në një deklaratë për shtyp pas administrimit të dy ofertave.
Tarifa Para dy javësh, të katërta kompanitë kërkuan më shumë kohë për të bërë certifikimin financiar të koncesionit. Vlerësimi i ofertave, do të përcaktojë edhe tarifën që do të aplikohet për të kaluar në aksin MilotMorinë, ndërkohë që deri tani është përsëritur shpesh se do të jetë 5 euro. Objektivi kryesor i këtij koncesioni është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj.
Koncensioni do të zgjasë për një periudhë 30 vjeçare dhe kompania fituese do të mbledhë dhe të mbajë të ardhurat nga taksa dhe në këmbim do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit. Duke lidhur Milotin, rreth 60 km në veri lindje të Portit të Durrësit në detin Adriatik, me Morinën në kufirin e Kosovës, rruga formon seksionin qendror të autostradës Kosovë Shqipëri, që lidh Durrësin me Prishtinën, dhe në të kalojnë një numër i lartë automjetesh, gjë që i ka bërë autoritetet shqiptare të vlerësojnë se kompanitë kanë interes për të fituar tenderin.
Kushtet Sipas Ministrisë së Transporteve, kompania fituese do të duhet të përfundojë disa vepra të rëndësishme dhe të domosdoshme për këtë rrugë, që është e papërfunduar akoma. Koncesionari do të duhet të ndërtojë urën e re të Kukësit, si dhe rehabilitimin e skarpateve gjatë gjithë gjatësisë së rrugës, po kështu edhe tunelin në dalje të urës së Kukësit dhe disa elementë të rrugës përfshirë sinjalistikën dhe ndriçimin e kryeqëzimeve. Është parashikuar një investim midis 38-43 milion euro që do ta bëjë kompania që do ta fitojë në koncesionin, që do të ketë për detyrë edhe mirëmbajtjen rutinë e atë periodike të këtij segmenti mjaft të rëndësishëm.