Secondary Adv

Treguesi i besimit ne ekonomi shenon renie per te dytin muaj radhazi

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) regjistroi rënie të lehtë për të dytin muaj radhazi në shkurt.

 

Rënia me 1.9 pikë në shkurt u shkaktua nga rënia e besimit në pothuaj të gjithë sektorët e ekonomisë. Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, niveli aktual i TNE vijon të qëndrojë mbi mesataren afatgjatë.

 

Treguesi i besimit të industrisë regjistroi një rënie të lehtë me 0.1% krahasuar me një muaj më parë. Kjo reflektoi ndryshime me kahe të ndryshme të komponentëve përbërës.

 

Vlerësimet më pesimiste të bizneseve lidhur me kërkesën e brendshme dhe prodhimin industrial u kompensuan nga vlerësimet më optimiste lidhur me kërkesën nga eksportet.

 

Ndërkohë, pritjet e bizneseve të industrisë për prodhimin, punësimin dhe për çmimet në të ardhmen janë në rënie në muajin shkurt. Treguesi i besimit në ndërtim u ul me 3.9 pikë përqindje në shkurt, por duke mbetur në nivel të lartë, mbi mesataren historike.

 

Bizneset në ndërtim vlerësuan me rënie aktivitetin ndërtues dhe nivelin e kontratave porositëse në muajin shkurt. Pritjet e tyre për nivelin e punësimit ishin gjithashtu në rënie. Pritjet për çmimet e tyre në të ardhmen u rritën në muajin shkurt.

 

Treguesi i besimit në shërbime shënoi rënie krahasuar me muajin e kaluar. Rënia e tij me 2.2 pikë përqindje në muajin shkurt u ndikua kryesisht nga vlerësime më pak pozitive për kërkesën për shërbime.

 

Vlerësimet për ecurinë e biznesit kanë mbetur pothuaj të pandryshuara në krahasim me muajin janar. Pritjet e bizneseve të shërbimeve për nivelin e punësimit dhe të çmimeve të tyre në të ardhmen janë në rritje edhe këtë muaj.

 

Treguesi i besimit në tregti shënoi rënie me 4.8 pikë përqindje në muajin shkurt, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet më pesimiste të bizneseve të tregtisë për ecurinë aktuale të biznesit të tyre.

 

Pritjet e tyre për kërkesën dhe ecurinë e biznesit në muajt e ardhshëm janë vlerësuar gjithashtu në rënie, por në një masë më të vogël se vlerësimi për situatën aktuale. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen janë vlerësuar me rritje këtë muaj nga bizneset e tregtisë. 

 

Bie dhe besimi konsumator

Treguesi i besimit konsumator shënoi rënie të lehtë me 0.7 pikë përqindje në muajin shkurt, duke u pozicionuar më poshtë mesatares historike.

 

Kjo rënie reflektoi vlerësimin më pesimist të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha, si dhe pritjet për situatën e tyre financiare dhe për situatën e përgjithshme ekonomike në vend.

 

Vala e rritjes së çmimeve që ka filluar të ndihet gjithnjë e më shumë që nga tremujori i fundit i vitit të kaluar po ndikon ndjeshëm edhe treguesit e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve.

 

Lufta në Ukrainë i ka bërë edhe më të zymta parashikimet për të ardhmen e afërt dhe po reflektohet në rritje të fortë të çmimeve të lëndëve të para./Burimi: https://www.monitor.al/treguesi-i-besimit-ne-ekonomi-bie-per-te-dytin-muaj-radhazi/


Më të lexuarat