Shoqata e transportit: rritet cmimi i biletes se autobusit me 80 leke
Rritja e çmimit të naftës brenda më pak se 5 ditëve, ka filluar të sjellë edhe pasojat e para në vendin tonë.
Transporti urban në kryeqytet ka shkurtuar numrin e autobusëve që nxjerr çdo ditë në qarkullim, duke bërë që dhjetëra qytetarët të presin për minuta të tëra në stacion. Shoqata e transportit ka prezantuar një kërkesë të re ku thotë se duhet të rritet çmimi i biletës në 80 lekë.
Report Tv sjell pamjet nga disa prej stacioneve në Tiranë, më konkretisht në zonën e Tufinës, te Kthesa e Kamzës apo në Kinostudio, ku pamjet flasin vetë.
Qytetarët janë detyruar që të shkojnë në punë sot vonë për shkak të autobusëve që nuk kanë ardhur në orar, për të cilët nuk ka pasur më herët një njoftim nga ana e kompanive se do të merrnin këtë vendim.
Më herët, Shoqata e Transportit ka 'kërcënuar' se nëse nuk do i plotësohen kërkesat e tyre (rimbursimi i TVSH dhe i kategorive me aftësi të kufizuar, heqja e akcizës 37 lekë/litër dhe heqja e taksës së qarkullimit në karburant), do të pezullonin punën në 1 mars, por kur kjo nuk ndodhi, kanë marrë një tjetër vendim që ka ndikuar në përditshmërinë e qytetarëve, duke ulur numrin e autobusëve.
Më herët, ato paralajmëruan rritje të çmimit të biletës për linjat brenda qytetit, e ndërsa ka pasur qytete si Fieri apo Berati që tashmë është bërë fakt ku për të shkuar në rrethina apo jashtë qytetit është reflektuar një rritje me të paktën 20 lekë.
Transporti Urban në kryeqytet në një gangrenë për qytetarët që vijon prej kohës. Duhet thënë, se edhe kur kanë funksionuar me kapacitet të plotë, oraret nuk janë respektuar, autobusët kanë qenë të mbipopulluar dhe shërbimi nuk është cilësor.
Në tetor të 2021, Shoqata doli me një tjetër kërcënim, ku u arrit një marrëveshje me Bashkinë e Tiranës ku u vendos 1 mln euro subvencione cash, rimbushim të TVSH dhe akcizës së naftës, por me kushtin e vetëm që paratë do të shpërndaheshin vetëm nëse pajiseshin me GPS.
Kur kanë kaluar 4 muaj, qytetarët po vuajnë sërish të njëjtat probleme. Shoqata e transportit ka prezantuar një kërkesë të re ku thotë se duhet të rritet çmimi i biletës në 80 lekë.
"Zgjidhja e para është rritja e çmimit të biletës. Duhet të rritet në 80 lekë për biletë. Kështu do të shmangim kapitullimin", thanë në deklaratë./Burimi: Shqiptarja.com