
BB: Produktiviteti i punes i ulet ne Shqiperi, te fundit ne Rajon
Produktiviteti i punës në Shqipëri ka mbetur në vendnumëro, çka do të thotë se fitimet e shqiptarëve nga puna nuk kanë ndryshuar.
Shqipëria jo vetëm renditet e fundit në Rajon në këtë drejtim, por po thellon hendekun nga viti në vit sipas një studimi të fundit të Bankës Botërorë që trajton ecurinë e tregut të punës para dhe pas pandemisë në vendin tonë.
Siç shihet në grafikun bashkëngjitur produktiviteti i punës i matur nga fuqia blerëse për një person të punësuar në Shqipëri ishte 20 mijë dollarë në vit. Kjo shifër mbeti e njëjtë nga 2014-2019, duke e renditur vendin tonë të fundit në rajon.
Vendet e Rajonit jo vetëm që kanë produktivitet më të lartë të punës, por kanë përparuar më tej vitet e fundit. Psh PBB për një të punësuar në Serbi ishte 52 mijë dollarë në 2015, ndërsa në 2019 ishte 58 mijë dollarë, referoi Banka Botërore.
Deri në fillim të 2020, tregu i punës në Shqipëri ishte në drejtim pozitiv, duke dëshmuar rritjen e punësimit dhe pjesëmarrjen e femrave në fuqinë punëtore.
Por pavarësisht këtyre rritjeve në punësim, produktiviteti i punës në Shqipëri është i ulët dhe ka mbetur në vendnumëro kohët e fundit. Por pjesa më e madhe vendeve të reja të punës ishte në sektorët me paga të ulëta prej 30,000 lekë.
Shqipëria spikat nga vendet e tjera të Rajonit për përqindjen e lartë të individëve me aftësi të ulëta (53% në Shqipëri kundrejt 31% në Ballkanin Perëndimor në 2019), dhe ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, shkalla e papunësisë në mesin e individëve pa shkollë në Shqipëri është më e ulët se në mesin e atyre me shkollë të mesme dhe të lartë.
Individët me arsim të lartë në Shqipëri përbëjnë rreth 2/3 e të gjithë të papunëve në Shqipëri, duke sugjeruar kthime të ulëta nga arsimi për shkak të cilësisë së ulët. Edhe pse papunësia e Shqipërisë është më e ulët se mesatarja rajonale, shumë prej tyre janë të punësuar në sektorë me produktivitet të ulët.
Shqipërisë ka peshën më të lartë të të punësuarve në vetëpunësim (34% kundrejt mesatares rajonale prej 22.9% në 2018) dhe në punësim me kohë të pjesshme (18.3% kundrejt mesatares rajonale të 10.6% në 2018).
Për më tepër, punësimi në Shqipëri është i përnderuar në bujqësi (zona rurale) ose në profesione elementare (zona urbane) dhe pjesa më e madhe është në informalitet me vlerësime që variojnë nga 25 në 50% të PBB.
Si rrjedhojë e këtyre faktorëve produktiviteti i punës ka ndalur rritjen vitet e fundit dhe është vazhdimisht më e ulët se çdo homolog i saj rajonal, i matur me PBB-në për person të punësuar.
Banka Botërorë vlerëson se sfida e Shqipërisë është krijimi i më shumë vendeve të reja punës me vlerë më të lartë pagesë. Për të arritur këtë duhet përmirësuar cilësia e arsimit dhe trajnimit.
Shqipëria ka pothuajse gjysmën e fuqisë punëtore në bujqësi dhe kështu ka hapësirë për të promovimin e mundësive alternative të punësimit. Ndërsa totali i të punësuarve në sektorin e bujqësisë ka disa vite që është në rënie, sërish 40% e punonjësve vazhdojnë të punojnë në bujqësi.
Kjo reflekton faktin se, ndërsa sektorët e prodhimit dhe shërbimeve kanë qenë në rritje kohët e fundit, bujqësia mbetet një pjesë e rëndësishme e ekonomisë.
Të dhënat tregojnë që familjet e angazhuara në sektorin e bujqësisë ishin kryesisht të nënpunësuar, me numrin e ditët e punuara mesatarisht vetëm tre të katërtat e ekuivalent me kohë të plotë.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/bb-fitimet-nga-puna-ne-vendnumero-ne-shqiperi-nga-2015-2019-te-fundit-ne-rajon/
Më të lexuarat








