Permbytjet ne Shqiperi, BE jep 4 milione euro per demet ne bujqesi
Ministria e Bujqësisë me mbështetjen e Bashkimit Evropian do të mundësojë rimbursimin e fermerëve të prekur nga humbjet në prodhimin bujqësor apo blegtoral të shkaktuara nga përmbytjet e muajit shkurt 2015.
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, u shpreh në një intervistë të publikuar sot në faqen zyrtare të kësaj ministrie se javën e ardhshme do të nënshkruajë në Tiranë marrëveshjen me BE-në, për të rimbursuar humbjet e shkaktuara nga përmbytjet e këtij fillimviti.
"BE-ja do të vërë në dispozicion në trajtë grantesh katër milionë euro dhe ne kemi të identifikuar fermerët që janë dëmtuar dhe masën e dëmit. Rimbursimi do të bëhet me pagesa të drejtpërdrejta. Ndërkohë dy milionë euro, të ndara respektivisht nga një milion secila, do jenë për investime në infrastrukturë dhe krijimin e sistemeve të paralajmërimit”, tha Panariti.
Nga përmbytjet e fundit, vijoi ministri, ka pasur dëmtime të kufizuara, kryesisht në zonën e Korçës, të cilat po i shikojmë për të gjetur mekanizmat e rikuperimit.