
Rritet per here te pare ne 5 vjet numri i llogarive bankare
Numri i llogarive bankare u rrit vitin e kaluar për herë të parë pas katër vitesh radhazi në rënie.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri total i llogarive bankare në fund të vitit ishte rreth 3.05 milionë, me një rritje prej 3.1% krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit të kaluar, numri i llogarive aktive në sektorin bankar është zgjeruar me afërsisht 91 mijë të tilla.
Numri i llogarive bankare është rritur në të gjitha segmentet kryesore të klientëve, përfshi individët dhe bizneset, qofshin rezidente apo jorezidente. Llogaritë e individëve rezidentë arritën në afërsisht 2.78 milionë, me një rritje vjetore prej 3.1% e ngjashme kjo me rritjen e numrit total.
Ndërkohë, rritja e numrit të llogarive të biznesit ishte në përmasa ndjeshëm më të ulëta, me 1.8% më shumë krahasuar me një vit më parë. Numri i llogarive të biznesit është afërsisht 225 mijë dhe është kthyer afërsisht në nivelet e 2019, para pandemisë.
Ndërkohë, numri i llogarive të jorezidentëve u rrit me ritme relativisht të larta edhe vitin e kaluar, me 13.3% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Numri i përgjithshëm i tyre arriti në afërsisht 45 mijë dhe llogaritë jorezidente përbëjnë rreth 1.5% të numrit të përgjithshëm të llogarive në bankat shqiptare. Edhe llogaritë e jorezidentëve dominohen kryesisht nga individët, me 96% të totalit.
Numri i llogarive bankare në Shqipëri arriti numrin më të lartë në 2016, me pothuajse 3.5 milionë. Në periudhën 2016-2020, numri i tyre pati pësuar rënie të vazhdueshme, i ndikuar ndjeshëm edhe nga konsolidimi i sektorit bankar dhe ulja e numrit të përgjithshëm të bankave.
Gjithashtu, edhe pandemia e Covid-19 besohet se ka ndikuar në uljen e numrit të llogarive për 2020. Mbyllja e bizneseve dhe ulja e punësimit mund të supozohet se kanë sjellë edhe pakësim të llogarive bankare për individët dhe bizneset e mbyllura.
Rreth 4 mijë llogari biznesh që u pakësuan gjatë 2020, janë shtuar sërish në 2021. Megjithëse numri i llogarive bankare në Shqipëri është më i lartë në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullsisë, në vetvete kjo nuk ka domethënie shumë të madhe për të kuptuar depërtimin e llogarive bankare në shoqëri.
Ndërsa shumë shqiptarë kanë disa llogari bankare, një pjesë e madhe e popullsisë në moshë madhore ende nuk e ka një të tillë.
Banka e Shqipërisë, në mbledhjen e fundit të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, vlerësonte se numri i individëve në moshë madhore që zotërojnë një llogari bankare ka arritur në 66%, nga rreth 40% që vlerësohej pesë vjet më parë.
Megjithë rritjen e ndjeshme në vitet e fundit, mund të llogarisim se janë ende afërsisht 750 mijë shqiptare në moshë madhore që nuk zotërojnë një llogari bankare.
Për të adresuar këtë problem, BSH ka hartuar projektligjin për llogarinë bazike të pagesave, që reflekton direktivën përkatëse të BE.
Projektligji parashikon se llogaria e pagesave me shërbime bazike do t’iu ofrohet konsumatorëve dhe individëve rezidentë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat tregtare pa pagesë ose me tarifa të arsyeshme, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekistuese.
Sipas projektligjit, tarifë e arsyeshme do të konsiderohet tarifa e cila nuk tejkalon 50% të nivelit mesatar të tarifës së aplikuar nga subjekti, për të njëjtat shërbime të ofruara nëpërmjet një llogarie të zakonshme pagesash.
Megjithatë, bankat do të jenë të detyruara t’i ofrojnë shërbimet e pagesave me tarifë zero, për kategoritë që i përkasin grupit të konsumatorëve të cilët përfitojnë nga të drejtat e parashikuara në legjislacionin që rregullon asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë.
Këtu përfshihen përfituesit e pagesës së papunësisë, përfituesit e skemës së ndihmës ekonomike, përfituesit e pagesës për paaftësi ose për aftësinë e kufizuar, përfituesit e pensioneve urbane dhe rurale në skemën e sigurimeve shoqërore, përfituesit e ndihmës ekonomike për arsimin e lartë, por edhe për kategori të tjera të përcaktuara me vendime të posaçme nga BSH.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/numri-i-llogarive-bankare-rritet-per-here-te-pare-ne-pese-vjet-2/
Më të lexuarat









