Qeveria rrit me 35 per qind shpenzimet ushtarake, buxheti i parashikuar
Duket se konflikti Rusi-Ukrainë do të ndikojë ndjeshëm buxhetin që shteti shqiptar shpenzon për sigurinë në vitet në vijim.
Më datë 2 mars Këshilli I Ministrave ka miratuar dokumentin e tavaneve përgatitore të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2023–2025, ku vërehet një rritje drastike e shpenzimeve për zërin e mbrojtjes.
Nga 326 milionë dollarë për 2022, shpenzimet buxhetore parashikojnë të kërcejnë me rreth 8.5% për vitin e ardhshëm, për të shtuar ndjeshëm në masën 35% në vitin 2025, për një total prej rreth 440 milionë dollarësh.
Ndërkohë që bie në sy se një pjesë e mirë e shpenzimeve të shtuara do të vijnë nga vendet partnere. Televizioni Scan ka zbardhur të dhënat e detajuara për tavanet buxhetore për tre vitet e ardhëshme.
Nga 32.6 miliardë lekë në vitin 2022, Buxheti për mbrojtjen do të kërcejë në 36,4 miliardë lekë për vitin 2023, me një rritje prej 8.5%. Shtesa është rreth 4 miliardë lekë, apo afërisht 40 milionë dollarë, ndërkohë që 62 milionë dollarë do të vijnë përmes financimeve të huaja.
Shumë më e fortë është rritja për vitin 2024, e cila në raport me këtë vit do të jetë 26% më shumë. Qeveria parashikon që në vitin 2024 shpenzimet buxhetore për mbrojtjen të jenë plot 410 milionë dollarë, 81 milionë prej të cilave do të vijnë përmes financimeve të huaja.
Rritja e buxhetit për mbrojtjen do të vijojë edhe në vitin 2025, ku parashikohen të parashikohen për këtë zë plot 44.1 miliardë lekë, apo rreth 440 mmilionë dollarë, me një rritje prej 35% krahasuar me vitin 2022./Burimi: SCAN