Gjobat e reja per bizneset: Pas 12 nentorit, penalitete 500 mije - 10 mln leke
Administrata tatimore do të mund të aplikojë masat e reja të penaliteteve për bizneset vetëm pas datës 12 Nëntor. Ndryshimet në procedurat tatimore që parashikojnë ashpërsimin e penaliteteve për bizneset që operojnë në informalitet do të hyjnë në fuqi pas 15 ditësh pasi janë botuar në Fletoren Zyrtare.
Penalitetet e reja me gjobë për bizneset variojnë nga 500 mijë lekë në 10 milion lekë si dhe kallëzim penal. Referuar ndryshimeve, me gjobë në masën 500 mijë lekë penalizohen bizneset që nuk deklarojnë adresën, nuk afishojnë listën e çmimeve të mallrave apo shërbimeve, nuk deklarojnë punonjësit, nuk deklarojnë pagën reale të punonjësve apo nuk lëshon kupon tatimor.
Penaliteti me gjobë në vlerë 10 milion lekë do të aplikohet për rastet kur bizneset e mallrave me shumicë nuk lëshojnë faturë tatimore, dëftesë tatimore apo faturë tatimore me TVSH. Po ashtu, e njëjta masë ndëshkimi aplikohet kur lëshohet kupon tatimor, dëftesë tatimore apo biletë me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj. Me gjobë 10 milion lekë penalizohet edhe tatimpaguesit e mallrave me shumicë që mbajnë në ruajtje, përdorin apo transportojnë mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore.
Përveç gjobës së lartë, penaliteti parashikon edhe konfiskimin e të gjithë sasisë së mallit dhe rivlerësimin tatimor të të ardhurave për një periudhë 6 mujore. Ndryshimet e miratuara në procedurat tatimore parashikojnë edhe penalitete të tjera si mbledhjen me forcë perms konfiskimit të detyrimeve të tatim-fitimit në rastet kur ka vonesa apo edhe faljen për bizneset që vetëdeklarojnë mangësitë e pasqyrave financiare.