Cmimi i naftes arriti shifra rekord, por nga e importon naften Shqiperia
Në vend të parë gjendet Italia, vend nga i cili Shqipëria ka importuar 15% të totalit, ose 161 mln litra.
Në vend të dytë ndërkohë ndjek Arabia Saudite, me 13% të totalit, ose 137 milionë litra. Ky shtet ka hyrë së fundmi në “tortën” e tregtisë së jashtme të vendit tonë në drejtim të importeve, dhe ku peshën më të lartë e mbajnë pikërisht hidrokarburet.
Në vend të tretë ndërkohë ndjek Rusia, me rreth 12% të totalit, ose 130 milionë litra lëndë djegëse minerale të importuara gjatë vitit 2021.
Në rast se “lufta” e sanksioneve me Rusinë do të përshkallëzohej, atëherë vendi ynë do të duhej të zëvendësonte një shtet me peshë të lartë në gjeografinë e importeve të hidrokarbureve.
Renditja vijon me Kolumbinë, që zë rreth 9% të totalit. Më pas ndjekin me diferenca të vogla nga njëra tjetra: Algjeria, Greqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Secili nga këto shtete zë rreth 8% të totalit në “tortën” e importeve të hidrokarbureve në vendin tonë.
Ndërkohë, Izraeli, Turqia dhe Kroacia mbyllin renditjen e 10 vendeve të para. Në total janë 54 shtete nga të cilat Shqipëria importon naftë, të paktën bazuar në të dhënat e vitit 2021 sa i përket tregtisë së jashtme.
Dhjetë shtetet e para në listën e importeve të hidrokarbureve në vendin tonë zënë 85% të totalit që përbëhet nga 54 shtete.
Këto shifra tregojnë se tregu i hidrokarbureve në vendin tonë është mjaft i centralizuar sa i përket gjeografisë së importeve, çka bën që në raste krize në skenën globale, edhe varësia dhe vulnerabiliteti në vendin tonë të jenë më të larta./Burimi: Scan