Protesta kunder rritjes se cmimeve: Bllokohet autostrada Lezhe-Lac, nisin grumbullimet ne Tirane
Në kryeqytet protestuesit janë grumbulluar që prej orës 11:00 në Sheshin Skënderbej, teksa pritet të marshojnë drejt kryeministrisë.
Ndërkohë në kryeministri janë marrë masa, duke blinduar dyert, teksa në gatishmëri janë edhe autobotet me gazë lotsjellës. Protestuesit kanë deklaruar se protesta do të kulmojë sot.
Për të katërtën ditë me radhë, qytetarët janë ngritur në protestë duke kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës dhe produkteve të shportës.
Ndërkohë protesta ka patur edhe në rrethe, ku në Lezhë protestuesit bllokuan për disa minuta autostradën Lezhë-Laç, pranë kryqëzimit të Shënkollit. Po ashtu qytetarët u ngritën sot edhe në Pogradec e Berat.
Ndërkohë që çmimi i naftës në vend është shumë i lartë, kuksianët duket se e kanë gjetur zgjidhjen duke u furnizuar në Kosovë. Ata thonë se kalojnë kufirin dhe mbushin makinat me naftë pasi çmimet në Kosovë, janë më të lira.
Aktualisht çmimi për litër nafte në Kosovë është 1.5 euro, teksa sot në vendin tonë çmimi i naftës është 223 lekë./Burimi: Shqiptarja.com