Cmimi fiks i karburanteve, zbardhen gjobat per bizneset qe nuk i binden
Deri në datën 15 mars, Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburanteve ka vendosur një çmim fiks se sa duhet të shitet nafta, gazi si edhe benzina.
Report Tv ka zbardhur të gjitha masat administrative, e parashikuara për çdo biznes që nuk zbaton vendimin e marrë nga Bordi. Gjobat variojnë nga 2 mln lekë për ato që tregojnë me pakicë deri në 10 mln lekë për shumicën dhe të gjitha paratë do të shkojnë 100% në buxhetin e shtetit.
Në rast përsëritjeje, është parashikuar edhe heqja e licencës së tregtimit. "Në rast të mosrespektimit të çmimit tavan përkatës, të vendosur nga Bordi, zbatohen sanksionet e mëposhtme:
a) Shoqëritë e tregtimit me shumicë të produkteve të naftës dhe gazit dënohen me gjobë, në masën 10 milionë lekë;
b) Shoqëritë e tregtimit me pakicë të produkteve të naftës dhe gazit, të cilat nuk respektojnë çmimin tavan përkatës të vendosur nga Bordi, dënohen me gjobë, në masën 2 milionë lekë;
c)Në rast përsëritjeje, masave të mësipërme, të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, i shtohet edhe heqja e licencës së tregtimit", thuhet në vendim.
Ndërkohë, të gjitha kompanitë e kanë detyrim që të mbajnë rezerva për të shmangur një krizë të mundshme të mungesës së produktit. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë biznesi përjashtohet për një periudhë 3-vjeçare nga mundësia për të marrë pjesë në një tender.
"Të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me shumicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave përkatëse, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi, dhe të ofrojnë këtë shërbim të pandërprerë, në përputhje me vendimet e Bordit.
2. Të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me pakicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizimin e pandërprerë të konsumatorit/qytetarit, në përputhje me vendimet e Bordit.
3. Mosmarrja e masave nga shoqëritë private, sipas përcaktimeve në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, dënohet sipas legjislacionit të fushës dhe këto shoqëri përjashtohen nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 3-vjeçare nga APP", thuhet në Aktin Normativ./Burimi: Shqiptarja.com