Qeveria redukton me 50 per qind shpenzimet e transportit te funksionareve
Këshilli i Ministrave ka vendosur reduktimin e shpenzimeve të transportit për funksionarët, nëpunësit, punonjësit e institucioneve të administratës shtetërore.
Bazuar në ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi:
Të gjitha institucionet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave dhe shoqëritë/ndërmarrjet me kapital shtetëror të marrin masat e menjëhershme për reduktimin e shpenzimeve të transportit të funksionarëve, nëpunësve dhe punonjësve me automjete të institucioneve,
në masën 50 për qind të planifikimit të bërë për 2022, për shkak të situatës së veçantë të përcaktuar në aktin normativ nr.5, datë 12.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”.
Parashikimi i pikës 1, të këtij vendimi, nuk duhet të cenojë misionin, detyrat, përgjegjësitë dhe operacionalitetin e institucioneve. Reduktimi i shpenzimeve, të këtij vendimi, do të zbatohet deri në datën kur do të shpallet përfundimi i situatës së veçantë të përcaktuar në aktin normativ.
Ngarkohen të gjitha institucionet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave dhe shoqëritë/ndërmarrjet me kapital shtetëror për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare./Burimi: SCAN