Secondary Adv

Subvencioni per transportin urban, Operatoret: nuk na nxjerr nga kriza

Paketa e rezistencës sociale ndaj pasojave të krizës do të mbështesë me fondin 5 mln USD sektorin e transportit.

 

Fondi do të përdoret për të kompensuar 100 lekë/litër naftë të deklaruar si shpenzim pranë DPT, sipas një tavani mujor nevoje për secilin operator të transportit publik të udhëtarëve, qytetës, rrethqytetës e ndërqytetës të linjave, të licencuara nga DPSHTRR, MIE dhe Bashkitë, për një periudhë 3 mujore.

 

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor Blendi Gonxhe pohoi më herët se fondi do të shpërndahet direkt çdo muaj për subjektet e transportit nga tatimet.

 

Për shkak të krizës në të cilën gjendet sektori i transportit urban ku përveç shtimit të kostove nga shtrenjtimi i çmimit të naftës po vuan edhe reduktimin e numrit të pasagjerëve, nga operatorët është përsëritur vazhdimisht miratimi i kërkesave fiskale.

 

Drejtori i transportit urban për linjën Kombinat-Kinostudio-Tufinë Kostandin Foni pohon se shpërndarja e fondit do të jetë lehtësi për operimin e operatorëve, por për nxjerrjen e tyre nga kriza nevojitet marrja e masave fiskale.

 

“Ende nuk është e qartë metodologjia se si do të shpërndahet ky fond dhe se si do të llogariten shpenzimet e operatorëve për naftën. Do të llogaritet bazuar mbi shpenzimet mesatare të deklaruara të vitit të kaluar, të muajit të mëparshëm, apo akti normativ do të ketë fuqi prapavepruese.

 

Shpërndarja e fondit të kompensimit është pozitive, pasi kompensimi, nëse do miratohet 100 lekë/litër do të ndikojë në rritjen e shërbimit. Theksojmë se aktualisht shumë operatorë kanë reduktuar 50-55% numrin e autobusëve, pasi nuk arrijnë të përballojnë çmimin e naftës.

 

Por fondi është tranzitor, nuk mund të nxjerrë nga kriza sektorin. Për këtë arsye për të pasur aktivitet të qëndrueshëm, që operatorët mos dalin çdo 3 muaj me kërkesa, duhet të miratohen kërkesat fiskale”, pohon z. Foni.

 

Kërkesat e operatorëve janë të njëjta me ato të kërkuara në nisje të pandemisë për të zbutur efektet nga rënia e numrit të pasagjerëve.

 

Edhe tani që po vuajmë rritjen e shpenzimeve nga shtrenjtimi i naftës Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon rimbursimin e TVSH në shitje, heqjen e akcizës të naftës 37 lekë/litër;

 

heqja e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licencuara që ushtrojnë aktivitetin në transportin urban 27 lekë/litër, si dhe rimbursimin e çmimit të biletës për kategoritë (Invalidë pune, të verbër, paraplegjik, tetraplegjik, studentët) të cilët udhëtojnë falas.

 

Këtë javë për operatorët e transportit nisi disbursimi i fondit prej 1 mln euro për të kompensuar rënien 55% të numrit të udhëtarëve për 11 operatorët e transportit urban në Tiranë.

 

Kësti i parë shpërndahet me 2 muaj vonesë, pasi pritej të niste që në janar. Shpërndarja e kompensimit do të jetë për periudhë 6 mujore me vlerë 200,000 lekë/muaj për çdo operator. Vendimi për shpërndarjen e fondit u miratua nga Bashkia e Tiranës në dhjetor të 2021.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/subvencioni-per-transportin-urban-operatoret-fondi-eshte-tranzitor-sektori-nuk-del-nga-kriza/


Më të lexuarat