12 milione euro per Kardhiq-Delvine, hapet tenderi per Lotin 8
Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka hapur tenderin për ndërtimin e rrugës Kardhiq – Delvinë Loti 8, që parashikon sistemimin dhe rivitalizimin e Skarpateve.
Fondi limit i parashikuar për këtë tender është 1.44 miliardë lekë, ose rreth 12 milionë euro. Sipas dokumenteve të tenderit, kohëzgjatja e kontratës/marrëveshjes kuadër ose afati për zbatimin e saj është 8 muaj.
Afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është data 15 prill. Qëllimi i projektit në fjalë është mbrojtja, rivitalizimi dhe stabilizimi i skarpateve në gërmime dhe në mbushje për rrugën e re nga Ura e Kardhiqit deri në Delvinë.
Për realizimin e këtij qëllimi, synohet një zgjidhje afatgjatë që të sigurojë stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe peizazhin e gjithë shpateve të ndikuar nga hapja e rrugës.
“Rruga Kardhiq –Delvinë ka gjatësi 33 km, projekti i mbrojtjes do jetë vetëm nga kilometri 0 deri në kilometrin e 23, pasi vetëm kjo pjesë ka skarpata të larta dhe me rrezik nga rënia e materialit në trupin e rrugës, ndërsa pjesa tjetër nga kilometri 23-33, është zonë fushore dhe si rrjedhojë nuk kemi skarpata në gërmim”, thuhet në dokumentet e ARRSH.
Punimet në rrugën Kardhiq – Delvinë, që kanë nisur që në 2007, rreth 14 vite më parë, ende janë larg përfundimit, kurse kostot e punimeve po rriten vazhdimisht pasi financimet e buxhetit të shtetit po shkojnë për shtesa të punimeve.
Nga tabelat e Ministrisë së Financave, në buxhetin afatmesëm kosto fillestare e lotëve që po kryhen punime ishte 5.2 miliardë lekë, por me financimet shtesë kostot janë rritur edhe me 29%, duke shkuar nga 5,2 miliardë lekë në 6.7 miliardë lekë.
Rruga Kardhiq -Delvinë e është e kategorisë B me dy korsi më gjerësi që varion nga 10 në 17 metër. Ky aks synon të shkurtojë distancën ndërmjet Tiranës dhe Sarandës, duke shmangur Qafën e Muzinës.
Rruga e cila u konceptua për nxitjen e turizmit kryesisht u kthye në një sagë pa fund dhe kosto të pallogaritshme për taksapaguesit.
Qeveria ka njoftuar si afat për përfundimin total të punimeve në rrugë datën 7 gusht të 2022, por në buxhetin afatmesëm ky aks do të financohet deri në vitin 2024.