
Kontabilistet kunder TVSH ne shitjen e apartamenteve, do rrise cmimet
Vendosja 20% e TVSH-së në shitjen e apartamenteve pritet të sjellë tjetër shtrenjtim të çmimeve.
Pas ndërtuesve edhe kontabilistët janë kundër vendosjes të TVSH në shitje, e parashikuar në strategjinë afatmesme të ardhurave për periudhën 2022-2026.
Kontabilisti Sotiraq Dhamo pohon për Monitor se aktualisht ndërtuesit ose blerësit paguajnë taksën e transferimit të pasurisë 1,000 lekë/m2 katror për ndërtimet e reja.
“Fillimisht TVSH-ja te shitja e apartamenteve nuk duhet të miratohet. Nëse qeveria vendos miratimin e TVSH-së, fillimisht duhet të shfuqizojë taksën mbi të drejtën e kalimit të pronësisë për pasuritë e paluajtshme.
Niveli i kësaj takse për ndërtesat e banimit në Tiranë dhe Durrës është 1,000 lekë/m2. Tek ndërtuesi kur blen një apartament të ri kjo taksë llogaritet në çmimin e shitjes të pronës.
Nëse nuk llogaritet në çmimin e shitjes nga ndërtuesi, paguhet nga blerësi, përpara regjistrimit të apartamentit në hipotekë. Vendosja e një takse tjetër për ndërtimin do të ndikojë në rritjen edhe më tepër të çmimeve të apartamenteve”, pohon ai.
Kontabilisti Sotiraq Dhamo thekson se sektori i ndërtimit është shumë i ngarkuar me taksa dhe vendosja e TVSh-së do të rriste akoma më shumë kostot. “Ne jemi kundër vendosjes të kësaj takse.
Por siç e theksova edhe më parë nëse do të diskutohet vendosja e TVSH në shitje, duhet të shfuqizohet taksa e transferimit të pasurisë dhe niveli i saj nuk duhet të jetë 20%, por 3%”.
Më herët edhe Arben Dervishi, sekretari i Shoqatës të Ndërtuesve pohoi se vendosja e TVSH do të rrisë kostot e ndërtimit, ndërtuesit janë të ngarkuar me shumë taksa, për rrjedhojë edhe shtrenjtimin e çmimeve.
Sipas tij për zhvillimin e një ndërtimi fillimisht paguhet 1% të çmimit kur kryen aplikimin e lejes, 8% në momentin e marrjes të lejes, 3% taksë për të pastrehët, taksa e infrastrukturës si dhe 40-45% arrijnë pagesat e truallit.
Në disa raste pagesat për pronarin e tokës (kur është i vetëm) arrijnë edhe 50 deri 60%. Vjet çmimet e apartamenteve të reja brenda unazës u rritën 10% krahasuar me 2020. Në zonat, si: Ish blloku, Myslym Shyri, rruga “Bardhyl” rritja e çmimeve varionte nga 15 deri 20%.
Brenda vijës të verdhë të ndërtimit sipas agjencive imobilare apartamentet e reja nuk ofronin çmime më të ulëta se 1500 euro/m2, ndërsa te periferitë si nuk u shiten më shtëpi banimi me çmime nën 900 euro/m2.
Vitin e kaluar sipas ndërtuesve u shtua kërkesa për blerje në fazën e hershme të ndërtimit. Sakaq në të gjitha kullat që po ngrihen në kryeqytet, apartamentet po shiten me çmime nga 3,000 deri në 4,000 euro për metër katror.
Vendosja e TVSH në ndërtim pritet të bëhet në kuadër të strategjisë afatmesme të të ardhurave, bazuar në rekomandimet e FMN. Ministria e Financave njoftoi dy javë më parë nisjen e konsultimeve me biznesin, por ditën e djeshme çoi një email ku specifikonte se ato do të shtyhen në një moment të dytë.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kontabilistet-kunder-vendosjes-te-tvsh-se-te-shitja-e-apartamenteve-dhamo-do-te-rrise-me-teper-cmimet/
Më të lexuarat








