Secondary Adv

Rriten me 49 per qind te ardhurat nga eksportet, shkak rritja e cmimeve

Eksportet për dy muajt e parë të vitit arritën në 72.3 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej 49% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Rritja është ndikuar nga mëse dyfishimi i shitjeve të grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji”, që u zgjeruan me 131%, në 19 miliardë lekë të ndikuara kryesisht nga rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Ky grup kaloi sërish në të dytin më të madh në vend, me 26% të totalit.

 

Në rritje të fortë ishin dhe eksportet e “material ndërtimi e metale”, që u zgjeruan me gati 60%, në 14 miliardë lekë edhe këto të ndikuara nga konjuktuara më e përshtatshme e çmimeve. Ky grup kaloi në të tretin, me 19.4% të totalit.

 

Edhe “tekstilet e këpucët”, që deri vitin e kaluar nuk kishin arritur nivelin e papa pandemisë po shënojnë një ecuri të mirë në muajt e parë të këtij viti, si rrjedhojë e rritjes së kërkesës nga partnerët europiane dhe çmimeve më të larta.

 

Eksportet e këtij grupi u zgjeruan me 17% në 20.7 miliardë lekë. Përfaqësuesi e sektorit thanë se ata presin ecuri më të mirë për shkak të riorientimit të prodhimit nga kompanitë europiane pas luftës në Ukrainë.

 

Ky grup vijon të mbetet më i madhi në vend, me 28.6% të totalit. Eksportet e “ushqime, pije e duhan” u rritën me 19%, të ndikuara nga ecuria e mirë e produkteve të peshkut, duke arritur në 6.3 miliardë lekë.

 

Edhe grupi “Makineri, pjesë këmbimi e pajisje” shënoi ecuri pozitive, me rritje 33% për dy mujorin, në 5.4 miliardë lekë, si rrjedhojë e përmirësimit të kërkesës pas pandemisë.

 

Sipas INSTAT, Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve për dy mujorin, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +22,3 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +10,6 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me +6,3 pikë përqindje.

 

Rriten importet, thellohet deficiti 

Në këtë dymujor eksportet e mallrave arritën vlerën 72 miliardë lekë, duke u rritur me 49,0%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 124 miliardë lekë, duke u rritur me 26,7%, krahasuar me një vit më parë.

 

Deficiti tregtar arriti vlerën 51 miliardë lekë, duke u rritur me 4,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021. Si dymujor, importet janë rritur me 26,7 %, krahasuar me dymujorin e parë 2021.

 

Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +8,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +7,3 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +4,4 pikë përqindje.

 

Rritja e lartë e importeve është ndikuar nga çmimet më të shtrenjta, ndërsa në volum zgjerimi është më i ulët.

 

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere 

Sipas INSTAT, Në muajin Shkurt 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Shkurt 2021 janë: Itali (57,5%), Kosova (57,9%) dhe Gjermania (3,3 herë).

 

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: SHBA (12,0%),Turqia (41,9%) dhe Spanja (90,0%). Gjatë këtij dymujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë:

 

Italia (47,4%), Gjermania (3,3 herë) dhe Kosova (75,6%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Spanja (76,0%) SHBA (8,7%) dhe Turqia (38,1%).

 

Në muajin Shkurt 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Shkurt 2021 janë: Italia (21,0%), Turqia (46,3%) dhe Greqia (26,4%).

 

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (39,9%) dhe Ukraina (13,3 %). Gjatë këtij dymujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë:

 

Italia (21,2%), Turqia (52,1%) dhe Kina (3,8%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (25,6%) dhe Zvicra (33,2%). Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 61,6%, të gjithë tregtisë.

 

Në Shkurt 2022, eksportet drejt vendeve të BE zënë 72,7% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE zënë 55,5% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë:

 

Italia (32,2%), Turqi (7,6%), Gjermania (7,4%), dhe Greqia (6,7%). Shkëmbimet tregtare, për dymujorin 2022, me vendet e BE zënë 61,7% të gjithë tregtisë.

 

Në periudhën Janar – Shkurt 2022, eksportet drejt vendeve të BE zënë 74,2% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE zënë 54,5% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (32,7%), Turqia (7,9%), Gjermania (7,6%) dhe Greqia (6,6%).

 

Burimi: https://www.monitor.al/eksportet-rriten-49-per-dy-mujorin-nga-rritja-e-cmimeve-dhe-permiresimi-i-industrise-tekstile/


Më të lexuarat