Secondary Adv

Gjermeni ne Divjake, inspekton projektet e financuara nga Fondi i Zhvillimit te Rajoneve

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni zhvilloi një vizitë në bashkinë e Divjakës, ku së bashku me Kryetarin e Bashkisë, Fredi Kokoneshi, inspektoi punimet  e dy projekteve të financuara nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve  në këtë  bashki.


Për vitin 2014 dhe 2015 , nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve në Bashkinë e Divjakës u investuan në total  rreth 212 milionë lekë për dy projekte, përkatësisht: “Rivitalizimi i sheshit qendror dhe trotuareve të akseve kryesore”  me vlerë totale investimi njëqind e shtatëdhjetë e shtatë milionë lekë dhe “Rikonstruksioni i Pedonales së Divjakës”, me vlerë  investimi rreth 40 milionë lekë. Të dyja këto projekte, i japin një  fizionomi dhe impuls të ri zhvillimit urban të qytetit duke ofruar më shumë hapësira të gjelbra për qytetarët.


Në fjalën e saj Ministrja Gjermeni tha: “Projekti për rivitalizimin e sheshit qendror të qytetit, me një vlerë financimi 177,070,591 lekë i alokuar në vitin 2015, që lidh zonën qendrore të Parkut Kombëtar të Divjakës me qendrën e qytetit, përfshin disa komponentë të rëndësishme nga ku do të veçoja, pistën e biçikletave, lulishtet dhe trotuaret për këmbësorët”.


Lajmi i mirë, nënvizoi më tej Gjermeni është  se për këtë bashki, në mbledhjen e fundit të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve u miratuan edhe dy projekte të reja  përkatësisht: Unaza Bujqësore Mertish, 3 urat, Rruga Gradisht dhe Spolat i Madh, me një vlerë financimi rreth 578,621,741 lekë. Të dyja këto projekte, që synojnë rehabilitimin e infrastrukturës rrugore, do t’i shërbejnë të gjithë territorit të Bashkisë së re Divjakë, dhe veçanërisht fermerëve të kësaj zone.
Ministrja Gjermeni, vlerësoi bashkëpunim me bashkinë Divjakë dhe  punën e bërë në zbatimin me cilësi të projekteve të financuara nga Qeveria Shqiptare. “Kyçi i suksesit është bashkëpunimi shumë i mirë që ne kemi pasur me Bashkinë Divjakë, në zbatimin e projekteve të zhvillimit urban dhe ekonomik”, – përfundoi Gjermeni.


Bashkia Divjakë është gjithashtu  një nga 26 bashkitë e përzgjedhura, që do të asistohet financiarisht dhe teknikisht nga Qeveria dhe Ministria e Zhvillimit Urban, për hartimin e planit të përgjithshëm vendor, një instrument i nevojshëm ligjor për të garantuar një zhvillim të integruar dhe të qëndrueshëm social dhe ekonomik, që i hap rrugë investimeve në të gjithë territorin e ri të kësaj bashkie.


Më të lexuarat