Neser serish proteste per cmimet, organizatoret: Masat te pamjaftueshme
Nesër në orën 11:00 pritet të zhvillohet protesta në Tiranë, ku qytetarët do mblidhen nga gjithë Shqipëria për të marshuar nga sheshi Skëndërbej drejt Kryeministrisë.
Në vlerësim të masave të marra deri më tani nga qeveria për të shmangur abuzimet me çmimet e naftës dhe produkteve të shportës, aktivistja Rezarta Caushaj tha se ato nuk janë të mjaftueshme dhe se nuk ofrojnë garanci që nuk do abuzohet me çmimet e tyre.
"Prej më se një jave kemi protestuar të gjithë së bashku duke kërkuar nga qeveria masa në ndihmë të konsumatorëve dhe bizneseve për të përballuar krizën drastike të çmimeve.
Qysh pas ditës së parë të protestës pamë se si u ndryshua qëndrimi nga "Qeveria nuk mund të ndërhyjë, duhet të shtrëngoni rripin, të kurseni, të ecni në këmbë..." në "Qeveria ka gati paketë masash".
Me vazhdimin e protestave, më pas u kalua në "Qeveria ul çmimin e karburantit", për të vijuar me "Qeveria përgjysmon furnizimin me karburant të institucioneve" dhe së fundmi, "Qeveria do të ulë çmimin e disa produkteve ushqimore".
Ne sajë të protestave dhe zërit të qytetarëve, qeveria nisi të bëjë detyrën e saj për kontroll të ngritjeve abuzive të çmimeve dhe marrjes se masave.
Brenda një jave janë shpallur 3 paketa anti-krizë dhe është vënë në lëvizje një fushatë e pandalshme për të bindur qytetarët mbi vlefshmërinë e masave.
Për t'i bindur qytetarët që të mos dalin në shesh! Por, a i përgjigjen masat nevojave të qytetarëve në kohë krize?! Jo, ato janë të pamjaftueshme!
Shumica e tyre nuk ofrojnë garanci që çmimi i naftës dhe produkteve të tjera do të qëndrojë i ulur në mënyrë të qëndrueshme dhe që qytetarët nuk do të jenë më pre e vjedhjes dhe abuzimeve", tha aktivistja.
Pjesë e kërkesës së protestave janë ulja e barrës fiskale, hetim dhe mbikëqyrje për mirëfunksionim të tregut dhe mbështetje për biznesin dhe shtresat vulnerabët, të cilat i kanë shprehur në 7 pika që janë:
-Heqje i taksës së qarkullimit
-Pezullim i alternuar i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit.
-Pezullim i TVSH-së për produktet e shportës bazë
- Zgjerim i skemës se kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve.
- Paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike deri tejkalimin e krizës
- Përcaktim i minimumit jetik.
- Hetim e mbikëqyrje e koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit dhe e operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve./Burimi: Shqiptarja.com