Secondary Adv

Hapet tenderi per rezervat ushqimore te shtetit, fondi dhe afatet

Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka hapur tenderin për blerjen e artikujve ushqimorë për Rezervat Materiale të Shtetit.

 

Fondi limit i vënë në dispozicion është 33.3 mln lekë, pa TVSH ndërkohë që referuar dokumenteve të tenderit synohet blerja e disa artikujve, sikurse janë makaronat, mielli i grurit, vaji i lule diellit, fasulet, orizi, sheqeri apo kripa.

 

Hapja e kësaj procedure vjen pas një presioni të shtuar, jo vetëm nag qytetarët, por edhe nga deputetët, të cilët kanë kërkuar informacion mbi gjendjen e Rezervave Materiale të Shtetit, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

 

Në datën 15 Mars, deputetët e opozitës kërkuan interpelancë me kryeministrin, Edi Rama, ku një prej çështjeve ishte pikërisht edhe kjo, por kërkesa nuk u përfshi në rendin ditës të seancës së të enjtes.

 

Paralelisht, zyrtarët e qeverisë kanë deklaruar publikisht se nuk do të bëjnë publike gjendjen e Rezervave Materiale të Shtetit, duke e konsideruar këtë informacion si sekret shtetëror ndonëse kanë pranuar se shteti disponon rezerva të mjaftueshme.

 

Rezervat materiale të shtetit krijohen për të ndërhyrë, në mënyrë operative, për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë dhe mbrojtjen e vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile,

 

veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake (në gjendje lufte), të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, për pasurinë, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin.

 

Kompanitë që do të marrin pjesë në tenderin e hapur nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara kanë afat deri në datën 1 prill për të dorëzuar ofertat e tyre, ndërkohë që procedura është e hapur./Burimi: SCAN


Më të lexuarat