Mblidhet Bordi i Transparences per cmimet: Kompanite pa marzh fitimi
Ministrja e Financave dhe Ministrja e Bujqësisë theksuan se do ketë instrumeta të posaçëm që nuk do lejojnë të ketë abuzime në kurriz të qytetarëve.
Në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes së Bordit të Transparencës për çmimet e shportës, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se ishte rënë dakord me kompanitë se nuk do të kenë marzh fitimi, duke shtuar se nesër do vijojnë takimet për përcaktimin e instrumentit që do bëjë transparencë për çmimet e produkteve të shportës në pikat e tregtimit me pakicë.
Ministrja shtoi po ashtu se është vendosur edhe një garanci për tregtarët që të mos mungojnë produktet kryesore në një periudhë afatmesme dhe që familjet shqiptare të mos paguajnë asnjë qindarkë më shumë seç duhet.
Ajo theksoi se nuk do të hiqet TVSH për ushqimet, pasi një gjë e tillë nuk do të ndihmonte aspak konsumatorët, por vetëm rrit fitimet për tregtarët.
Ndërkohë Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca tha se qeveria është duke monitoruar situatën në treg për sa i përket mallrave bazë, në mënyrë që të orientohet drejt tregjeve të reja në rast se do të ketë mungesa të produkteve të caktuara.
E pyetur nëse mund të përballemi me mungesë të grurit në treg, ajo u shpreh optimiste për përmbushjen e nevojave për këtë vit./Burimi: Shqiptarja.com