Më datën 4 nëntor 2015 ministria e Financave pagoi eurobondin e emetuar në vitin 2010. Shuma e paguar nga ministria është 322.5 milionë euro, nga e cila 300 milionë euro është vlera e principalit dhe 22.5 milionë euro është kësti i fundit i interesit, sipas një njoftimi zyrtar të Ministrisë së Financave.
Fondet për pagesën u siguruan: • 250 milionë euro nga një kredi (me garanci të Bankës Botërore) e marrë në tregjet ndërkombëtare • 50 milionë euro nga instrumente të emetuara në tregun e brendshëm.
Eurobondi me shumë 300 milionë euro u emetua më 4 nëntor të vitit 2010, me maturim 5 vjet dhe normë interesi 7.5% dhe ishte emetimi i parë i Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit me qëllim financimin e deficitit buxhetor, përfundon Ministria e Financave. Shtyhet emetimi i eurobondit të ri
Ministria e Financave nuk ka arritur të emetojë eurobondin e ri, ndonëse kushtet e tregut ishin shumë të favorshme, në krahasim me vitin 2010. Monitor mësoi nga burime konfidenciale se tregu e ka vlerësuar interesin e eurobondit të ri shqiptar në 6.2%-6.3%, që vlerësohet se është relativisht i lartë, çka duket se ka bërë që financat të tërhiqen për një moment më të përshtatshëm.
Nuk ka ndihmuar as fakti që Agjencia vlerësuese Standard & Poor afirmoi renditjen në mes të tetorit renditjen ‘B /B’ të kredisë afatgjatë në monedhën vendase dhe të huaj për Shqipërinë, me pritshmëri pozitive. Mossigurimi i shumës në momentin e duhur dhe qëndrimi për një kohë relativisht të gjatë në tregje mund të japë sinjale negative për investitorët, duke rrezikuar dhe një kthim mbrapsht, duke zbritur në një kategori më poshtë.