Secondary Adv

Rritja e cmimeve, Ndertuesit: Te ulet taksa e infrastruktures

Shoqatat e bizneseve prodhuese dhe importuesit kërkojnë heqjen e taksave të karburantit dhe përgjysmimin e TVSH së shitjes.

 

Kriza e shtrenjtimit të karburanteve dhe energjisë po vështirëson aktivitetin e prodhuesve, që sërish janë një hap para rritjes së çmimeve të produkteve, duke rrezikuar tkurrjen e shitjeve deri në mbylljen e fabrikave.

 

Kriza e tregjeve ndërkombëtare pas luftës Rusi-Ukrainë ka prekur edhe importuesit e mallrave të konsumit, të cilët po furnizojnë me vështirësi dhe kosto të lartë tregun vendas.

 

Prodhuesit pohojnë se shtrenjtimi i çmimeve nga rritja e kostove (karburantet dhe energjia zënë 20-40% të kostos) ka ulur konsumin, ndërsa janë të pambrojtur nga luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

 

Për këtë arsye, shoqatat e bizneseve dhe sipërmarrës kërkojnë njëzëri ndërhyrjen e qeverisë në heqjen e taksave të naftës dhe uljen e nivelit të TVSH te mallrat bazë të shportës ushqimore. Përfaqësues të sektorit të blegtorisë kërkojnë ngrirjen e paketës fiskale deri në kapërcimin e krizës dhe rritjen e subvencioneve për fermerët.

 

Kërkesat për uljen e taksave 

Presidenti i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, tha për “Monitor” se në këtë situatë, kur shtrenjtimi i çmimit të karburanteve dhe energjisë ka shtuar kostot e prodhimit dhe ulur konsumin, institucionet shtetërore duhet të ndërhyjnë me heqjen e taksave të karburanteve dhe TVSH-së për produktet e shportës.

 

“Në këtë situatë, qeveria duhet të heqë dorë nga koncepti i mbledhjes së taksave, që më pas do t’i përdorë ato për të mira publike ndaj qytetarëve. Sot qytetarit duhet t’i lihet më shumë para në dorë për të blerë produktet kryesore të shportës.

 

Sot kemi nevojë që paratë të mbeten në duart e njerëzve që të rritet konsumi, i cili ka rënë për shkak të ngritjes së çmimeve, që paratë e qytetarëve të shkojnë për blerjen e prodhimeve vendase, të cilat zënë pjesën kryesore të shportës ushqimore.

 

Kjo është e vetmja mënyrë që do të mbajë fabrikat në punë, do t’i shpëtojë ato nga mbyllja dhe nga shkurtimi i vendeve të punës. Situata e shtrenjtimit të çmimeve nuk mund të zgjidhet me disbursime të buxhetit, pasi mekanizmat e tij janë shumë të ngadalshëm për të pasur efekte të menjëhershme te konsumi.

 

Duke pasur më shumë para në duar, do të jetë vetë konsumatori ai që do të zgjidhë krizën. Për këtë arsye është e domosdoshme që, për një periudhë 3-mujore, të pezullohen apo të zerohen taksat e produkteve të konsumit dhe të hiqen taksat e karburanteve.

 

Zbatimi i kësaj mase të jetë i përkohshëm, deri sa të kuptohet se çfarë po ndodh dhe të kapërcehet situata e rritjes së kostove të prodhimit dhe çmimeve për produktet e konsumatorit”, nënvizon z. Zusi.

 

Shoqata e Ndërtuesve: Të ulet taksa e infrastrukturës

Ulje të taksave për të përballuar shtrenjtimin 50% të kostove kërkojnë edhe ndërtuesit.

 

Sekretari i Shoqatës së Ndërtuesve, Arben Dervishi, pohon se rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit pritet të ndikojë te shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve dhe për pasojë, do të shtojë stokun e ndërtimeve të pashitura. “Rritja e çmimeve të apartamenteve, për shkak të kostos, do të ndikonte te kërkesa.

 

Rënia e kërkesës do të krijojë stokun e pashitur të apartamenteve, ashtu siç ndodhi dhe me krizën financiare të 2008-s. Në atë periudhë, në periferitë e Tiranës, në qytetet e Durrësit, Vlorës u krijua stok i lartë i apartamenteve të pashitura”.

 

Sipas tij, në këtë situatë është e domosdoshme që qeveria të ndërhyjë me uljen e taksave. “Në sektorin e ndërtimit, duhet të hiqet taksa 3% e strehimit, si dhe të ulet koeficienti i taksës së infrastrukturës dhe taksave të karburanteve. Për marrjen e masave në tavolinat e diskutimeve duhet të jenë të pranishme edhe përfaqësuesit e bizneseve”, pohon z. Dervishi.

 

Për ndërtuesit është shqetësim edhe propozimi i qeverisë në strategjinë afatmesme të të ardhurave 2022-2026 për vendosjen e TVSH në shitjen e apartamenteve. Ata pohojnë se, nëse miratohet propozimi, çmimet do të rriten edhe më shumë.

 

“Nëse qeveria vendos të përfshijë TVSH në shitjen e apartamenteve, atëherë e gjithë ekonomia duhet të përfshihet me TVSh, të mos ketë ndarje në biznese me TVSH dhe pa TVSH”, pohon Dervishaj.

 

Vjet, çmimet e apartamenteve të reja brenda vijës së verdhë të ndërtimit u rritën 10% krahasuar me 2020-n. Në zonat, si: Ish-Blloku, “Myslym Shyri”, Rruga Bardhyl rritja e çmimeve varion 15 deri në 20%.

 

Brenda vijës së verdhë të ndërtimit, sipas agjencive imobiliare, apartamentet e reja nuk ofronin çmime më të ulëta se 1500 euro/m², ndërsa te periferitë si “Porcelani” apo “Ali Demi”, nuk u shiten më shtëpi banimi me çmime nën 900 euro/m².

 

Vitin e kaluar, sipas ndërtuesve, u shtua kërkesa për blerje në fazën e hershme të ndërtimit në objekte me çmime të larta deri në 4,000 euro për metër katror, kryesisht kullat. Në të gjitha kullat që po ngrihen në kryeqytet, apartamentet po shiten me çmime nga 3,000 deri në 4,000 euro për metër katror.

 

Në anën tjetër, kostot e larta nga shtrenjtimi i çmimeve të materialeve të ndërtimit po prekin edhe kompanitë e ndërtimit që po kryejnë investimet publike në infrastrukturë dhe programet e rindërtimit. “Punimet për investimet në infrastrukturë dhe rindërtim janë tenderuar me çmime më të ulëta.

 

Çmimet po ndryshojnë dita-ditës. Shpenzimet e karburantit zënë 30% të kostove për kompanitë që po kryejnë investime publike, pasi karburanti shpenzohet për gërmimet e relieveve të vështira.

 

Nga rritja e çmimeve, këto kompani janë të humbura apo me fitim zero. Ata kërkojnë që qeveria të marrë masa për situatën e krijuar nga rritja e çmimeve”, thotë sekretari i Shoqatës së Ndërtuesve.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/bizneset-kerkojne-uljen-e-taksave-2/


Më të lexuarat