Ndryshon formula e kontributeve, rritet pagesa per te vetepunesuarit
Nga data 1 Prill hyn në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale në shkallë vendi me 2 mijë lekë, duke e cuar atë në 32 mijë lekë për çdo punonjës.
Sipas vendimit të qeverisë, nga periudha Prill 2022, kjo do të jetë paga bazë minimale mujore, në shkallë vendi për punonjësit, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik apo fizik, vendas apo i huaj.
Ndërkohë që administrata tatimore ka sqaruar se si do të ndryshojë pagesa e kontributeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore me pragun e ri të pagës minimale.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, për personat e punësuar; për personat e vetëpunësuar;
si dhe për punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht, do të jetë jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 32,000 lekë.
Ndërsa, bëhet me dije se paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimit shëndetësor, do të jetë: Jo më pak se sa paga minimale mujore në shkallë vendi, prej 32.000 lekë dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës së listëpagesës, për personat e punësuar;
Sa dyfishi i pagës minimale në shkallë vendi, prej 64.000 lekë, për personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton.
Pra nëse deri më tani, kategoria e të vetëpunësuarve paguante kontribute mbi bazën e pagës minimale, tashmë ky detyrim do të jetë i rritur pasi do të llogaritet mbi dyfishin e saj./Burimi: SCAN