Censusi i popullsise 2022, INSTAT hap tenderin per sigurimin e pajisjeve
Censi i Popullsisë dhe Banesave do mbahet këtë vit dhe INSTAT ka nisur procedurat për sigurimin e bazës materiale dhe pajisjeve që do përdoren nga anketuesit në terren.
Një procedurë e fundit me fond limit 233 milionë lekë apo rreth 2 milionë euro është hapur së fundmi nga INSTAT në Agjencinë e Prokurimit Publik duke kërkuar që nga operatorët privatë të vihen në dispozicion 8080 tabletë dhe po kaq Power Bank (karikues të lëvizshëm).
Operatorët duhet të përmbushin një sërë kushtesh që lidhen me procedurën kur ndër të tjera të demonstrojnë që kanë kryer punë të tjera ku vlera ka qenë sa 35 për qind e fondit limit të procedurës së Institutit.
Operatorëve gjithashtu iu kërkohet që të lëvrojnë materialet brenda një afati 60 ditor nga koha e nënshkrimit të kontratës. Këto pajisje do t’ju jepen anketuesve në terren në të gjithë vendin për të mbuluar censin e popullsisë që për herë të fundit zuri vend në vitin 2011.
Më herët INSTAT kishte planifikuar të zhvillonte censin në vitin 2021 por për shkak të pandemisë gjatë vitit 2020 dhe vitit të kaluar ishte e pamundur që të ndiqeshin të gjithë procedurat dhe testimet pilote.
Pandemia bëri që INSTAT të shtynte edhe Censin e Bujqësisë për në 2024. Lidhur me Censin e Popullsisë dhe Banesave nga ana e INSTAT janë zhvilluar disa teste ku të dhënat u vunë në funksion të fazës pilot. Gjatë periudhës 05 – 09 Korrik 2021, INSTAT kreu trajnimin e stafit të terrenit për këtë test.
Gjatë këtij trajnimi u transmetuan njohuritë lidhur me terminologjinë dhe metodologjinë e Censit, përdorimin e tabletave si dhe plotësimin e pyetësorit në mënyrë elektronike, punën me hartat, logjistikën dhe organizimin e punës gjatë mbledhjes së të dhënave, komunikimin, etikën, konfidencialitetin statistikor dhe mbrojtjen e të dhënave.
Në shtatorin e vitit të shkuar INSTAT zhvilloi fazën pilot të censit që tashmë është pasuar me tryeza informuese mbi këtë proces kombëtar./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/censi-i-popullsise-instat-2-mln-euro-per-sigurimin-e-pajisjeve-hapet-tenderi/