Secondary Adv

Bashkite dyfishojne te ardhurat, 47 mln euro nga taksat ne dy muaj

Vetëm në dy muajt e parë të vitit bashkitë kanë arritur të dyfishojnë të ardhurat në buxhetet e tyre krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Kështu, sipas të dhënave zyrtare të financave, pushteti vendor arkëtoi gjatë periudhës Janar-Shkurt 2022, afro 5.8 miliardë lekë apo 47 milionë euro, nga 2.8 miliardë lekë që u mblodhën në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Ajo që vihet re, është se të ardhurat nga taksa e pasurisë janë mbledhur në nivel të ulët dhe në rënie krahasuar më vitin e kaluar dhe ato nga biznesi i vogël po ashtu, regjistrohen në një vlerë të pa konsiderueshme.

 

Ndërsa ndikimin më të madh e kanë dhënë taksat lokale. Arsyet e rritjes së të ardhurave është rikthimi i jetës ekonomike si në periudhën e para krizës, heqja e kufizimeve të pandemisë dhe rikthimi i institucioneve vendore në funksion të plotë.

 

Po ashtu, nëse individë apo biznese vitin që lam pas janë toleruar t’u shmangen detyrimeve për shkak të pandemisë, tashmë duket se kanë paguar taksat dhe tarifat e përcaktuara me ligj ndaj pushtetit vendor.

 

Në taksat lokale përfshihen kryesisht, taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja; Taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme; Taksa e tabelës; Taksa e përkohshme e tregut;

 

Tarifa e gjelbërimit; Tarifa e pastrimit dhe e largimit të mbeturinave; Tarifa e plazheve private (për zonat bregdetare);  Tarife për leje per përdorim strukture;  Tarifa e parkimit te automjeteve; Tarifa e ndriçimit; Taksa e fjetjes në hotel, tarifa për zënien e hapësirave publike etj.

 

Mesatarisht qytetarët dhe bizneset paguajnë afro 23 taksa dhe tarifa vendore të cilat ndryshojnë në bazë të bashkisë. Taksa e ndikimit në infrastrukturë është ajo që furnizon më së shumti buxhetet e bashkive./Burimi: SCAN


Më të lexuarat