Guvernatori i BQK: Rritja ekonomike e Kosoves 10.5 per qind ne 2021
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2021 vlerësohet të jetë 10.5 për qind.
Mehmeti gjatë një konference për medie, ka theksuar se në këtë rritje ka kontribuar ardhja e mërgatës në vend. “Ekonomia e Kosovës ka shënuar rikuperime të reja, ku sipas vlerësimeve preliminare të Agjencisë së Statistikave kjo rritje ekonomike është rreth 10.5 për qind.
Lëvizja e lirë e qytetarëve, bëri që të ketë rritje të ardhjes së diasporës, por duke mos anashkaluar veprimet e ndërmarra, ka ndikuar që të jetë kjo rritje”, tha Mehmeti, shkruan Telegrafi.
Sipas tij, brenda kësaj periudhe janë lëshuar 1.8 miliard euro kredi. “Aktualisht Norma Efektive Joperformuese në sektorin bankar qëndron rreth 2.3 për qind, për derisa norma vjetore e rritjes së kredive qëndron në 15.7 për qind.
Gjatë 2021, janë lëshuar 1.8 miliard euro kredi të reja”, ka theksuar ai gjatë prezantimit të raportit të Tranzicionit 2021-2022. I pari i BQK, ka treguar se pandemia COVID-19 e ka gjetur sistemin financiar në nivele të larta të kapitalit dhe likuiditetit.
“Këto dy vitet ishin mjaftë sfiduese, me pasuri të lartë për sektorin financiar dhe për ekonominë e vendit. Situata e pandemisë COVID-19 e gjeti sistemin financiar në nivele të larta të kapitalit dhe likuiditetit.
Masat e marra nga BQK-ja janë treguar mjaftë efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar. Sektori bankar arriti të ruaj shkallë të lartë të qëndrueshmërisë ndaj ndikimit të krizës”, ka përfunduar ai./Burimi: Telegrafi