Vucic: Do eksportojme 30 mije tone dhe nje sasi misri drejt Shqiperise
Presidenti Vuçiç njofton se qeveria do bëjë përjashtim nga vendimi për eksportin e grurit dhe se 30 mijë tonë grurë dhe një sasi më e vogël e misrit do shkojnë në Shqipëri.
"Jemi të sigurt edhe nëse nuk kemi korrje dhe me atë korrje mund të ofrojmë shumë për rajonin dhe më gjerë. Rusia dhe Ukraina janë prodhuesit e dytë dhe të katërt të grurit në botë", tha ai.
Ky vendim i Vuçiç u paralajmërua më herët nga kryeministri Rama, i cili tha se po negociohet me Serbinë për një sasi gruri të kontraktuar më herët nga kompanitë shqiptare, para se Serbia të bllokonte eksportet për të ruajtur popullin e saj nga kriza.
Rama tha se kjo bëhet përmes 'Ballkanit të Hapur'. Kjo lëvizje vjen në një kohë kur çmimi i miellit është rritur në vend për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.
Pak ditë më parë Serbia mori vendimin për ndalimin e eksporteve të grurit, misrit, miellit dhe vajit të gatimit, si masë për ndalimin e rritjes së çmimeve të shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë, por pavarësisht kësaj, Vuçiç tha se do të bëjë një përjashtim për Shqipërinë./Burimi: Shqiptarja.com