
Kriza e cmimeve, Britania do te ule taksat mbi pagat dhe karburantet
Qeveria e Britanisë po redukton taksat mbi pagat dhe tarifat e karburantit, në përpjekje për të ulur goditjet nga kriza më e keqe e kostos së jetesës në dekada.
Megjithatë, ajo i rezistoi thirrjeve për të vendosur një taksë të re mbi fitimet e kompanive të naftës, e cila do të shërbente për të mbledhur më shumë të ardhura për të financuar paketat lehtësuese për konsumatorët familjarë, pavarësisht se inflacioni ka arritur një rekord të ri të 30 viteve të fundit prej mbi 6%.
Ministri i Financave Rishi Sunak tha të mërkurën se do të ulen tarifat për gazin dhe naftën me 0.05 paund (7 cent) për litër, për një vit.
Qeveria do të rrisë gjithashtu pragun për tatimin e pagave – një masë që do të sjellë një ulje vjetore të taksave prej 330 paund (435 dollarë) për rreth 30 milionë njerëz – dhe do të ulë normën bazë të tatimit mbi të ardhurat duke filluar nga prilli i vitit 2024.
“Ulja e taksave është një ndihmë e menjëhershme për njerëzit që të përballojnë kostot e rritura të jetesës,” tha Sunak gjatë një fjalimi në parlament.
Por Sunak nuk njoftoi ndonjë taksë të papritur për kompanitë e energjisë, një kërkesë kryesore kjo nga aktivistët që protestojnë për koston e lartë të jetesës. Vitin e kaluar, gjigantët e naftës BP (BP) dhe Shell (RDSA) arritën së bashku një fitim prej 32 miliardë dollarësh.
Ai gjithashtu pezulloi rritjen e planifikuar për pagesat e benefiteve për muajin e ardhshëm, pavarësisht rritjes së inflacionit.
Rritja e paralajmëruar e një takse mbi pagat, si dhe ngrirja katërvjeçare e pragjeve të tatimit mbi të ardhurat, nënkuptojnë se shumë familje do të vazhdojnë të jenë më keq ekonomikisht pas këtyre njoftimeve të ditës së mërkurës–pavarësisht ndihmës që do të jepet për faturat e karburantit, e cila u bë publike në muajin shkurt.
“Një qytetar i shtresës së mesme me të ardhura prej 27,500 paund (36,315 dollarë) në vit do të ketë praktikisht rreth 360 paund (475 dollarë) më pak këtë vit krahasuar me vitin e kaluar”, tha në një deklaratë Instituti për Studime Fiskale.
“Ai nuk ka bërë asgjë për ata që varen nga ndihmat dhe benefitet ekonomike, të cilët përbëjnë shtresën më të varfër të shoqërisë, përveç një shume të vogël parash shtesë për autoritetet vendore, të cilën ata do ta shpërndajnë sipas gjykimit të tyre.
Këto benefite do të rriten me vetëm 3.1% për vitin e ardhshëm financiar, ndërkohë që kostoja e jetesës mund të rritet me 10%.” Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar arriti shifrën 6.2% në muajin shkurt, duke u rritur me ritmin më të shpejtë që nga marsi i vitit 1992, tha të mërkurën Zyra për Statistikat Kombëtare.
Rritjet e çmimeve erdhën si pasojë e rritjes së kostove të energjisë dhe të karburantit, duke vendosur në vështirësi ekonomike britanikët pasi rritjet e pagave nuk arritën të ruajnë të njëjtin ritëm me shtimin e kostos së jetesës.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia në muajin shkurt po e përkeqëson situatën, duke rritur akoma më shumë çmimet e energjisë dhe të ushqimeve, tha Banka e Anglisë javën e kaluar.
Shifrat e shkurtit tregojnë se çmimet e gazit natyror u rritën me mbi 30%, ndërsa energjia elektrike me gati 20% krahasuar me vitin e kaluar. Çmimet mesatare për benzinën dhe naftën ishin më të lartat të regjistruara ndonjëherë, tha Zyra për Statistikat Kombëtare.
Inflacioni mund të vazhdojë të përkeqësohet akoma më tepër, përpara se të stabilizohet në normat normale. Banka e Anglisë parashikon që inflacioni do të arrijë në 8% pas muajt prill dhe mund të rritet akoma më shumë deri në fund të vitit.
Javën e kaluar, banka qendrore rriti normat e interesit në nivelin prej 0.75%, shifër e njëjtë kjo me normat që ishin përpara fillimit të pandemisë. Ky ndryshim ishte një përpjekje për të vënë nën kontroll rritjen e çmimeve.
Agjencitë rregullatore në Mbretërinë e Bashkuar do të ulin kufirin e çmimit të energjisë – shumën maksimale që furnitorët mund t’i faturojnë familjeve për njësi të energjisë – me plot 54% në muajin prill.
Qeveria po redukton taksat vendore për të ulur ndikimin te konsumatorët, por dhjetëra milionë familje do të duhet të paguajnë fatura shumë më të fryra për ngrohje. Kufiri mund të ulet përsëri në tetor nëse çmimet vazhdojnë të rriten./Burimi: CNN
Më të lexuarat








