
Kosova dhe Serbia me normen me te larte te inflacionit ne Rajon per 2021
Tremujorin e fundit të 2021 presionet inflacioniste që kishin shoqëruar ekonominë globale dhe të eurozonës kishin reflektuar edhe në ekonominë e Kosovës dhe të rajonit.
Si pasojë e rritjes së kërkesës së brendshme dhe rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, në vendet e Ballkanit Perëndimor ishte raportuar një ngritje e lartë e shkallës së inflacionit.
Kështu, shkalla mesatare e inflacionit në TM4 2021, në Ballkanin Perëndimor ishte 5.4%, ku Kosova dhe Serbia ishin dy vendet që regjistruan shkallën më të lartë të inflacionit. Kosova kishte shënuar një shkallë prej 6.4%, kurse Serbia 7.3%.
Sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të përmbledhura në një raport tremujorësh për aktivitetin ekonomik të vendit, rritja e kërkesës së përgjithshme si rezultat i rikuperimit ekonomik,
shoqëruar me presionet e jashtme inflacioniste si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë dhe çmimeve të mallrave të importuara nga vendet partnere, ndikuan që Kosova të raportojë vazhdimisht për rritje të çmimeve të përgjithshme në vend, matur përmes katër indekseve që përpilohen nga ASK.
Si rrjedhojë, indeksi i çmimeve të konsumit në vend kishte shënuar rritje prej 3.4% në 2021, pasuar nga indeksi i çmimeve të prodhimit që shënoi rritje prej 4.9%, indeksi i kostos së ndërtimit për 10.9%, si dhe indeksi i çmimeve të importit rritje për 11.1%.
Por, rritja më e lartë e çmimeve të konsumit ishte evidentuar në TM4 2021, kur është shënuar një normë mesatare e inflacionit prej 6.4%. Rritje më e lartë e çmimeve gjatë këtij tremujori ishte shënuar tek transporti, mjetet e komunikimit, ushqimi dhe pijet joalkoolike, rryma, gazi dhe lëndët tjera djegëse, etj.
Duke marrë parasysh që struktura e shportës së konsumatorit kosovar dominohet nga kategoria e ushqimit dhe pijeve joalkoolike (39.9%), si dhe kategoria e shpenzimeve të transportit (15.8%), rezultojnë të kenë kontribuar në rritjen e përgjithshme të të çmimeve për 2.6 përkatësisht 2.2 pikë përqindje.
Çmimet e ushqimit dhe pijeve joalkoolike gjatë këtij tremujori të fundit të 2021-s, kishin shënuar rritje për 6.3%.
Në kuadër të kategorisë së ushqimit, rritjen më të theksuar në vendin tonë e kishin shënuar çmimet e vajrave dhe yndyrave (30.5%), pasuar nga çmimet e bukës dhe drithërave (11.1%), perimeve (9.1%), si dhe qumështit, djathit dhe vezëve (6.9%), ndërsa vetëm çmimet e pemëve shënuan rënie prej 3.8% në TM4 2021.
Ndërkohë, sipas Bankёs Botёrore, edhe çmimet e naftës (brent crude) arritën në nivelin mesatar prej 78.3 dollar për barel në TM4 2021, që tregon për një rritje vjetore të çmimit prej 79.4 për qind.
Për shkak të rritjes së çmimit të derivateve të naftës, shpenzimet e transportit në Kosovë shënuan rritje prej 15.1% në TM4 2021. Rritja më e lartë e çmimeve të transportit është shёnuar tek pёrdorimi i pajisjeve pёr transportin personal (25.8%), pastaj blerja e automjeteve (5.2%), si dhe shёrbimet pёr transport (1.9%).
Gjithashtu edhe çmimet e rrymёs, gazit dhe lёndёve tjera djegёse deri nё shtator 2021, kishin shënuar rёnie prej 1.2%, ndёrsa nё TM4 2021 kishin shёnuar rritje prej 5.9%,
si rezultat i krizёs energjetike, e shkaktuar nga çmimet e larta të energjisë në tregun ndërkombëtar por edhe rritjes së konsumit gjatë muajve të dimrit, pasi qё një pjesë e madhe e energjisё pёrdorej pёr ngrohje.
Nga BQK vlerësojnë se trendi i përshpejtuar i rritjes së çmimeve pritet tё vazhdojë edhe nё vitin 2022 dhe sipas parashikimeve të BQK-së, shkalla mesatare e inflacionit pёr këtë vit pritet tё jetё 6.4%.
“Tё ngjashme me parashikimet e BQK janё edhe pritjet e bankave, tё cilat kanё deklaruar se presin qё niveli i inflacionit do të jetë mё i lartë kёtё vit krahasuar me vitin e kaluar.
Sidoqoftë, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit, pas invadimit të Rusisë në Ukrainë, niveli i inflacionit mund të jetë edhe më i lartë”, thuhet tutje në këtë raport të BQK-së, sa i përket inflacioni.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/ne-fund-te-vitit-2021-kosova-dhe-serbia-shenuan-normen-me-te-larte-te-inflacionit-ne-rajon/
Më të lexuarat








