Cikli i ri i emigracionit, remitancat arrijne nivelin me te larte ne 12 vjet
Në 2021, emigrantët që jetojnë e punojnë jashtë vendit dërguan tek të afërmit e tyre në Shqipëri 761 milionë euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.
Ky është niveli më i lartë që nga viti 2009. Në krahasim me një vit më parë, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë dhe mbylljes së Europës, remitancat janë rritur me 13%. Në krahasim me periudhën përkatëse normale të 2019, zgjerimi është gati 9%.
Në krahasim me vitin e mëparshëm, rritje e lartë është shënuar përgjatë gjithë tremujorëve, por më e fortë ishte në tremujorin e dytë, teksa në 2020 për shkak të bllokimit të menjëhershëm të lëvizjeve u shënua një tkurrje e ndjeshme e fluksit të parave që emigrantët dërgojnë në vend.
Sipas tremujorëve, niveli më i lartë i tyre u shënua në korrik-shtator, me 200 milionë euro, dhe në tremujorin e fundit me 222 milionë euro, që përkojnë me periudhën e verës dhe fundin e vitit, kur shumë emigrantë vijnë për pushime.
Italia dhe Greqia vijojnë të mbeten kanalet kryesore të dërgimit të parave në vend, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që jetojnë e punojnë në shtetet fqinje.
Por, vitet e fundit, po rriten edhe prurjet nga vendet e reja të emigrimit, kryesisht Mbretëria e Bashkuar dhe sidomos Gjermania. Aktorët e tregut pohojnë se Gjermania, për vetë faktin që është në tipologjinë e një vendi me emigracion të ri, gjatë viteve të fundit ka qenë në një rritje konstante.
Të dhënat tregojnë se pas 2009, paratë që emigrantët dërguan në shtëpi erdhën në rënie, duke reflektuar ciklin e parë të emigracionit, kur pas 10-15 vitesh, të ikurit fillojnë e shkëputin lidhjet me vendin mëmë.
Por, pas 2013, tendenca iu kthye sërish rritjes, për shkak të valës së dytë të ikjes, që kulmoi në 2016, por vijon të jetë e lartë edhe sot, sipas të dhënave indirekte nga kërkesat për azil dhe lejet e qëndrimit që jepen nga vendet e Bashkimit Europian.
Pasi janë sistemuar me punë, emigrantët e rinj fillojnë të dërgojnë para tek të afërmit e tyre në Shqipëri. Sipas të dhënave të tjera të Eurostat, që nga 2008 deri në 2020, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e BE.
Numri më i lartë i lejeve të qëndrimit është dhënë në periudhën 2008-2009, me përkatësisht 97.3 mijë dhe 83.9 mijë, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të fillim viteve 2000. Më pas fluksi erdhi në rënie, duke zbritur në rreth 30 mijë në vitin 2013.
Pas kësaj periudhe, rigjallërimi i ciklit të emigracionit, që tregohet dhe nga shtimi i ndjeshëm i kërkesave për azil solli një tjetër rritje të lejeve të qëndrimit, që kulmoi në vitin 2019, me rreth 60.4 mijë të tilla.